E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Kamzës në ditën e 4-ët të grevës, pritet rishpërndarja e 500 kuotave të reja Master

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Studentët e degës së Agronomisë në Kamzë hyjnë sot në ditën e katërt të grevës së urisë për heqjen e mesatares si kriter për pranimet në DND (Dplomë e Nvelit të Dytë). Deri ditën e djeshme të grevës së urisë, studentët nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kërkesën e tyre që ka të bëjë me vazhdimin e 2-vjeçarit, sipas sistemit të Bolonjës. Situata e tyre shëndetësore është rënduar, por pavarësisht kësaj ata janë shprehur se nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Janë rreth 15 studentë të cilët janë ngujuar në ambientet e Universitetit Bujqësor, pasi pas protestave të shumta ata nuk kanë gjetur një përgjigje për arsimimin e tyre të mëtejshëm. Aktualisht cikli 2-vjeçar ne përputhje me sistemin e Bolonjës ka nisur dhe në kuotat e propozuara janë përfshirë rreth 50 studentë. Në mbledhjen e saj të fundit Qeveria bëri edhe një rishpërndarje të fundit të kuotave për studimet Master (DND dhe MNP), duke shtuar rreth 500 kuota në total. Sipas të dhënave nga sekretaritë e universiteteve këto kuota pritet të rishpërndahen në fakultete për aplikantët e rinj në datën 10 nëntor 2009. Nuk dihet nëse miratimi i këtyre 500 kuotave do ti kënaqë studentët, të cilët pikërisht për numrin e pamjaftueshëm të tyre përballë kërkesave janë hedhur në grevë jo vetëm në Tiranë por edhe në qytetete të tjera. Ata kanë kërkuar heqjen e kriterit të mesatares për tu pranuar në DND pasi mosvazhdimi i 2-vjecarit sipas Kartës së Bolonjës i lë atë me një diplomë të përgjysmuar me vetëm tre vite studim.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›