E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, 9 raste të reja në Shqipëri

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministria e Shëndetësisë raporton për 9 raste të reja të prekura me virusin AH1N1 në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se analizat të cilat konfirmuan praninë e virusit të rrezikshëm A/H1N1 u bënë në laboratorin e Tiranës. Mjekët apelojnë që qytetarët të bëjnë vaksinën e gripit sezonal për të qenë të mbrojtur nga prekja e gripit të derrave, kjo pasi kombinimi i dy viruseve në një organizëm të vetëm do të ishte fatale për jetën e çdo qytetari. “Në farmacitë e vendit ka një sasi të mjaftueshme me vaksinë kundër gripit sezonal dhe Ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e OBSH-së inkurajon me forcë qytetarët ta blejnë dhe ta përdorin këtë vaksinë, e cila aplikohet falas pranë Qendrave Shëndetësore për tu mbrojtur nga gripi sezonal” këshillon ministria. Të mbledhura së bashku edhe me rastet e para të prekjes së virusit AH1N1, shkon në 44 numri total i të sëmurëve në vendin tonë. “Pas një periudhe qetësie gjatë muajve shtator-tetor, virusi A/H1N1 po rifillon të qarkullojë në popullatë. Gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja. Të gjitha rastet kanë patur shenja të lehta dhe janë trajtuar në sistemin tonë shëndetësor, kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë” u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetëisë. Sipas MSH-së, brenda disa javësh pritet të mbërrijnë në vendin tonë rreth 10 mijë vaksina tamiflu kundër virusit A/H1N1, ndërsa iu është bërë thirrje qytetarëve të bëjnë vaksinën e virusit të gripit sezonal për të shmangur përplasjen e dy gripeve, çka do të rezultonte tepër e rëndë për shëndetin.

Ky lajm është publikuar: 07/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›