Doris Pack: Shqipëria duhet të përfitojë nga vizat
Sipas Pack-ut, dallimi që bëhet mes vendeve të Ballkanit prej BE-së, duket i ekzagjeruar dhe i pakuptimtë
TIRANË - "Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave, çdo zgjatje e procesit është absurde dhe nuk justifikon progresin e këtij vendi vitet e fundit".
Kështu është shprehur europarlamentarja Doris Pack, në një deklaratë për mediat, pas një debati në Parlamentin Europian, duke kundërshtuar idenë e disa përfaqësuesve të Brukselit për të zvarritur regjimin e vizave për disa nga vendet e rajonit të Ballkanit. Doris Pack është shprehur se Shqipëria nuk duhet të përjashtohet nga lista e vendeve që mund të përfitojnë menjëherë nga heqja e regjimit të vizave.
Gjatë një deklarate për mediat, euoparlamentarja Pack e ka konsideruar absurd dhe të papranueshëm idenë për zgjatjen e procesit të heqjes së regjimit të vizave për disa vende në Ballkan dhe favorizimin e tepruar ndaj disa të tjerëve.
"Ballkani është një rajon kaq i ngushtë, prandaj dallimi që bëhet mes vendeve anëtare të tij prej BE-së duket i ekzagjeruar dhe i pakuptimtë. Nuk besoj se mund të bëhen dallime kaq të mëdha në një rajon kaq të ngushtë",- është shprehur europarlamentarja Doris Pack.
Dihet tashmë që nga 1 janari i vitit që vjen, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, ndërkohë që Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina janë dy vendet, që, sipas Komisionit Europian, duhet të përforcojnë ende përpjekjet e tyre drejt realizimit të reformave, me qëllim përmbushjen e kritereve, që do të çonin në marrjen e vendimit për një regjim pa viza për Shqipërinë.
Qeveria Shqiptare ka premtuar se brenda vitit 2010 Shqipëria synon që të arrijë liberalizimin e vizave, ndërkohë që zyrtarë të lartë të BE-së i mëshojnë faktit se kjo do të varet nga meritat dhe arritja e objektivave nga ana e vendit tonë. Në anën tjetër, europarlamentarja Doris Pack është shprehur optimiste për vendin tonë, duke kërkuar në mënyrë të përshpejtuar që Shqipëria të bëhet pjesë e regjimit pa viza.