Jeta e natës, ish- blloku gdhin gjithmonë zgjuar
Banorët, nuk flemë prej vitesh nga zhurmat e natës që shkaktojnë lokalet në të gjitha anët
TIRANE- Zhurmat dhe ndotja akustike në qendër të kryeqytetit, por jo vetëm në qendër, për shkak të lokaleve të natës që aplikojnë muzikën e lartë, për banorët e lagjes së konsideruar luksoze, nuk ka kurrë rehati.
Prej shumë vitesh që kur pab-et dhe lokalet e natës, kanë hedhur rrënjë në rrugët e bllokut, banorëve iu ka sosur durimi i të quajturit lagje luksoze. Në rrugët "Brigada VIII", "Ismail Qemali", "Nikolla Tupe", "Petër Bogdani", janë të përqëndruar më së shumti lokalet e natës dhe që aplikojnë muzikën e lartë, klientela e të cilëve është në shumicën e rasteve, e moshës së re dhe rrallë herë të bie të shikosh moshë të madhe në këto lokale.
Shumë prej banorëve të kontaktuar dje nga gazeta "Shekulli", në disa prej këtyre rrugëve janë shprehur të shqetësuar në lidhje me nivelin e lartë të zhurmave që shkaktojnë lokalet që ndodhen poshtë shtëpive të tyre, e që për më tepër sipas tyre thuajse asnjë nuk praktikon adaptimin e sistemeve të amortizimit të zhurmës.
"Kemi pesë vite që jetojmë në këtë pallat, në këtë apartament dhe nuk ka pasur natë që në këto rrugë të ketë pasur qetësi.
Muzika nuk pushon dhe njerëzit në orën 3:00 apo deri në 5:00 të mëngjesit nuk pushojnë së ulërituri. Dalin nga lokalet pasi janë dehur dhe nisin e ulërasin. Mbrëmë një grup djemsh po debatonin me zë të lartë, pranë një pub-i tek rruga pas pallatit tim dhe nuk flija dot.
Por kjo nuk është hera e parë dhe ne jemi mësuar. Edhe të rrihen na duket sikur janë gjëra normale",- thotë një grua rreth të 40-ve. Banorët e pallateve që kufizohen nga "Brigada e VIII", si dhe nga ajo "Pjetër Bogdani", duket se janë ndër më të shqetësuarit.
Adorim Mirdita, është një prej banorëve që banon në një pallat gri në rrugën "Brigada VIII", i cili tregon se që kur ka ardhur është ndërtuar pallati në të cilin ai ka apartamentin e tij, nuk ka qëlluar një herë të mos dëgjojë grindje sherre apo të shohë njerëz të dehur poshtë ballkonit të shtëpisë së tij.
Mbrëmë disa femra përballë një lokali natë te "Pjetër Bogdani", po shaheshin dhe fyheshin me zë të lartë me fjalë të ndyra që nuk ia zë një burri goja t'i thotë. Merita, një grua që banon në në rrugën "Vaso Pasha", thotë se kur i ndodh që ta zërë gjumi gjatë natës është një gjë e rrallë.
Më tej ajo tregon se dy javë më parë, në rrugën përballë shtëpisë së saj në një lokal ishin të ftuar dy vëllezër këngëtarë, dhe muzika nuk ndaloi një minutë. Nuk dinim ç'të bënim.
Ata kënduan deri vonë dhe ne ndenjëm dëgjuam muzikën e tyre s'kishim nga t'ia mbanim". "Unë jetoj shumë pak këtu me tim shoq, por kur vijmë na zë tmerri.",- thotë gruaja me flokë të verdhë të prera shkurt.
Banorët, kemi frikë të debatojmë me pronarët
Disa prej banorëve të zonës së ish- bllokut pohojnë se në asnjë rast nuk kanë mundur të merren vesh me pronarët e lokaleve të cilët thuajse në asnjë raste nuk kanë pranuar të ulin muzikën.
Tani hajde merre vesh se kush është pronari i lokalit ç' njerëz mund të jenë e me se merren". Kështu thotë Sandri, një burrë rreth 55- vjeç nga Fieri që banon në një pallat me ngjyrë jeshile në rrugën "Brigada e VIII". Një mbrëmje, im shoq doli dhe nisi t'iu flasë.
Por sa po nisi t'iu ankohet atyre, ata e panë me inat dhe i kthyen kurrizin. Një grua e katit të gjashtë të një prej apartamenteve në rrugën "Nikolla Tupe", tregon se një kushëri i saj që banon në rrugën "Vaso Pasha", mbi një lokal pranë pallateve "Agimi", gjithmonë ka probleme.
"Aty pranë ndodhet një lokal që frekuentohet nga njerëz të ndryshëm që mbajnë motorë të mëdhenj dhe në mes të natës ndonjë prej tyre e lëshon gazin deri në fund. Merre me mend zhurmën që mund të bëjnë motorë të tillë",-thotë një burrë rreth 47 vjeç, banues në këtë rrugë.