E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Basha”, pazari për ditën e vendimit

Prokuroria: “Vendimi i gjykatës na duket absurd”. Ministri Basha: “Mos gjykoni të premten e zezë”

Laureta Rryçi

Tiranë - Kolegji penal i Gjykatës së Lartë u shfaq dje për pak minuta para palëve vetëm për kortezi, duke u shprehur se vendimi do të shpallej në një tjetër ditë. “Është bërë një ngatërresë te data që u përcaktua për shpalljen e vendimit. Nuk e dinim që ishte ditë feste. Ne nuk mund të gjykojmë në një ditë pushimi, kështu që vendimi do të lihet për një tjetër ditë”, - arsyetoi dje kryesuesi i kolegjit penal Spiro Spiro, duke mos pranuar asnjë reagim nga palët nëse ishin apo jo dakord që të mos zhvillohej gjyqi. Ky vendim solli më shumë pakënaqësi te përfaqësuesit e akuzës. Sipas tyre, nuk kishte sens që të hapej procesi vetëm për t’u shtyrë në një ditë tjetër. Megjithatë, kjo zgjati vetëm për pak sekonda pasi problemi më i madh për palët rezultoi të ishte data që do të lihej. Përfaqësuesit e prokurorisë nuk mund të pranojnë shtyrjen deri javën që vjen për shkak të angazhimeve në punë. Po kështu, po kaq i zënë rezultoi të ishte edhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Përballë kësaj situate, kolegji penal vendosi që vendimi të shpallej më 10 prill. Ndërsa kolegji u largua nga salla, ishte ministri që u kujtua se ajo datë ishte e premtja e zezë e Pashkëve. “Nuk mund të lihet vendimi për ditën e festës. Meqë jemi këtu, të presim që të na caktojnë një tjetër datë”, - u shpreh ministri duke dialoguar me një nga prokurorët. Sekretarja që vuri në dijeni kolegjin penal njoftoi palët se gjykata tashmë ishte shprehur në një vendin, prandaj palët po të donin të mos vinin.
Vendimi
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shtyn për në muajin prill vendimin për ministrin Lulzim Basha që po hetohet për shpërdorim detyre dhe favorizim në tendera lidhur me fondet për ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Punëve Publike. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, mbërriti dje paradite në Gjykatën e Lartë nën shoqërinë e ish-drejtorit Juridik të Rrugëve, Andi Toma. Kolegji penal, i kryesuar nga anëtari i kësaj gjykate Spiro Spiro, vendosi që gjyqi të mos zhvillohet meqë dita përkoi zyrtarisht si ditë pushimi. Për këtë arsye, Kolegji Penal vendosi që gjyqi të zhvillohet në datën 10 prill. Javë më parë, përballë këtij kolegji penal, pala mbrojtëse e ish-ministrit të Transporteve kërkoi mbylljen e çështjes pasi, sipas avokatit, klienti i tij nuk është i pandehur pasi nuk i është komunikuar akuza nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për abuzimet ndaj Rrugës Rrëshen-Kalimash. Avokati Zef Nikaj deklaroi në seancën gjyqësore se kolegji penal nuk mund të shqyrtojë dosjen “Basha” pasi ka dy vendime të njëpasnjëshme të gjykatave sipas të cilave prokuroria ka tejkaluar të gjitha afatet e hetimit.
Deklarata
Në po të njëjtën seancë, prokurori Arben Kraja për herë të parë publikoi faktin se në dhjetor të vitit 2008, ditën kur organi qendror i akuzës i ka çuar në Ministrinë e Jashtme dosjen me akuza, dy punonjës të kësaj ministrie po të njëjtën ditë e kanë kthyer dosjen duke e lënë në shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme. Pas një hetimi 1-vjeçar, Basha u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për “Shpërdorim detyre“ dhe “Favorizim në tendera“ lidhur me fondet për ndërtimin e Rrugës Rrëshen- Kalimash gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Punëve Publike. Dëmi i shkaktuar është 232 milionë euro.

E rrallë, dosja ka si dëshmitarë 30 zyrtarë

Prokuroria në dosjen “Durrës-Kukës” ka listuar si dëshmitarë vetëm persona që janë aktualisht zyrtarë në administratë. Burime pranë institucionit të akuzës pohuan dje për gazetën “Albania” se në listën e dëshmitarëve janë përfshirë 30 zyrtarë, që mbajnë aktualisht poste të rëndësishme në administratën shtetërore. Sipas prokurorisë, personat në fjalë mendohet se kanë dijeni për fakte të ndryshme që provojnë fajësinë e dy të pandehurve të kësaj dosjeje, ministrit Lulzim Basha dhe ish-drejtorit Juridik Andi Toma. Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të dëgjohen ndonjëherë këto dëshmi. Gjykata e Lartë do të vendosë nëse ministri Basha do të jetë i pandehuri i kësaj dosjeje ose jo. Po kështu, avokati i të pandehurit Andi Toma ka kërkuar pushimin në tërësi të dosjes.

Konkluzione të Prokurorisë mbi dosjen

09 mars 2007, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar kryesisht Procedimin Penal Nr.893 për veprën penale “Shpërdorim i detyrës kryer në bashkëpunim”, vepër penale e parashikuar nga Nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe që bën fjalë për shkelje të kryera nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit gjatë financimeve të kryera për ndërtimin e rrugëve të ndryshme kombëtare me fonde publike, në mënyrë të veçantë për fondet e përdorura në ndërtimin e Rrugës Rrëshen-Kalimash.

Me datën 27 shtator 2007 është vendosur regjistrimi i emrit të shtetasit Lulzim Basha në Regjistrin e Procedimeve Penale pranë Zyrës së prokurorit të Përgjithshëm.

Me datën 15 tetor 2007, prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë autorizim për procedim penal ndaj deputetit Lulzim Basha. Me Vendimin Nr.152, datë 27.12.2007, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur “Dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Lulzim Basha, kërkuar nga prokurori i Përgjithshëm”.

Vepra penale e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 258 e 25 të Kodit Penal, është kryer nga të pandehurit Lulzim Basha dhe Andi Toma gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e shoqërisë konsulente Ecorys Group

Veprimet e kryera nga shtetasit Lulzim Basha dhe Andi Toma janë në kundërshtim dhe me Nenin 7/1 të Ligjit Nr.7971, datë 26.07.1995, “Për prokurimin publik”, i cili thotë se: “Enti prokurues është përgjegjës për prokurimin me fonde publike që i vihen në dispozicion, duke iu nënshtruar dispozitave të këtij ligji dhe çdo kushti tjetër që përfshihet në rregullat e prokurimit dhe udhëzimet e Agjencisë së Prokurimit Publik”.

“Mungesat” e Bashës për të penguar hetimin

Që në krye të herës së hetimit të tij, Lulzim Basha ka refuzuar bashkëpunimin në kohë reale me organet e drejtësisë. Porsa Prokuroria e Tiranës nisi çështjen për tenderimin e rrugës, Basha ofroi “mbështetjen e tij dhe të ministrisë për çdo dokumentacion të nevojshëm”. Por, kur pas shqyrtimit të dokumentacionit prokurorët e Tiranës deshën ta merrnin në pyetje, Basha doli para kamerave dhe e quajti Prokurorinë si “politike dhe nën urdhrat e verbër të njëanshëm të Dhori Sollakut”. Më vonë, pas emërimit të Ina Ramës në krye të organit të akuzës, Basha shkoi vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, por përsëri këtë gjë vetëm një herë, pasi mbyllja e hetimeve e gjeti atë fajtor dhe ministri i Jashtëm nuk denjoi të paraqitej për të marrë akuzën që i kishin veshur prokurorët e çështjes. Por Basha nuk u mjaftua vetëm me injorimin e organit të akuzës, ai nga ana tjetër nxiti dhe mbështeti një proces gjyqësor paralel që synonte pavlefshmërinë e procedurës së ndjekur nga prokurorët për shpalljen e tij si të pandehur. Basha dërgoi avokatin e tij, Zef Nikaj, në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa ky i fundit bëri me dije, pasi doli nga prokuroria, se e kishte konsideruar si të jashtëligjshëm dhe të pavlefshëm aktin e shpalljes së Bashës si të pandehur. Ky refuzim i Bashës për t’u paraqitur para prokurorit shënon numrin tre të refuzimeve të tij, ndërsa dy herë të tjera Basha nuk u paraqit në Prokurorinë e Tiranës kur për të njëjtën çështje e thirri edhe prokurori Ervin Karanxha.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›