E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet. 40 për qind e shpenzimeve të KQZ-së për kamerat e numërimit të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton buxhetin prej 714 milionë lekësh për zgjedhjet e 28 qershorit. 203 milionë lekë do të shpenzohen për kamerat, ja si do të bëhet me to numërimi i votave

Shaban Sulçe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje buxhetin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shifra totale që do të shpenzojë KQZ-ja për menaxhimin e procesit zgjedhor kap vlerën 714 milionë lekë. Interesant është fakti se rreth 40% e kësaj shume do të shpenzohet për blerjen e kamerave, të cilat do të përdoren për procesin e numërimit të votave. Kamerat do të jenë një prej risive më të rëndësishme që do të kenë zgjedhjet e 28 qershorit. Përdorimi i tyre për numërimin e votave është sanksionuar në Kodin Zgjedhor, i cili u miratua me shumicë votash në fund të vitit të kaluar. Kamerat dhe monitorët konsiderohen me një rëndësi të veçantë gjatë këtyre zgjedhjeve, pasi ato priten të garantojnë një proces transparent të numërimit të votave dhe t’u japin fund kontestimeve të subjekteve zgjedhore që kanë qenë të shumta në lidhje me këtë proces gjatë zgjedhjeve të mëparshme.

Buxheti i KQZ-së

Shuma totale e buxhetit të KQZ-së për zgjedhjet e 28 qershorit është 714 611 652 lekë. Buxheti është i ndarë në katër zëra: paga, mallra, shërbime dhe investime. Kështu, 245 003 063 lekë do të shpenzohen për pagat, që do t’u jepen punonjësve me shërbim të përkohshëm në KQZ, specialistëve me shërbim të përkohshëm në KQZ si dhe shpërblimet për anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të votimit, anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave dhe trajnuesve të komisionerëve. 102 505 035 lekë do të shpenzohen nga KQZ-ja për mallrat, që kanë të bëjnë me prodhime specifike të importit apo brenda vendit si dhe për materialet e zyrave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar në buxhet që të shpenzojë 147 957 000 lekë për shërbimet, në të cilat përfshihen transporti, udhëtimet e dietat, trajnimet me mediat elektronike, ambientet me qira, sensibilizimi për pjesëmarrjen në votime etj.

Kamerat
385 do të jetë numri i tavolinave të numërimit në vendet e numërimit të votave. Po aq do të jetë edhe numri i kamerave që do të përdoren për këtë proces. Në secilën prej këtyre tavolinave do të instalohet një kamera me rezolucion të lartë që do të regjistrojë pamje vizive e zanore në DVR dhe do të transmetojë në kohë reale fletën e votimit në monitor ose ekran. Gjithashtu do të duhen dhe 385 monitorë që do të lidhen me kamerat, si dhe 66 pajisje regjistruese që do të mundësojnë regjistrimin me zë të imazheve të marra nga kamerat. KQZ-ja do të marrë masat edhe në rastet kur gjatë procesit të numërimit të votave do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike. Për këtë arsye do të blihen “inventitorë ups”, të cilët do të mundësojnë mbajtjen ndezur të kamerave dhe të monitorëve. Kamerat me rezolucion të lartë do të instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që të bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Regjistrimi filmik i procesit ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore. KQZ-ja mund të riprodhojë kopje të tyre dhe t’ua vërë në dispozicion subjekteve zgjedhore kundrejt një tarife që mbulon koston e prodhimit. Sipas Kodit Zgjedhor për blerjen dhe instalimin e kamerave vëzhguese, që do të përdoren gjatë procesit të numërimit të votave, do të mund të përdoret procedura prokuruese e një tenderi të hapur, procedura me negociim me njoftim paraprak, ose procedura me negociim pa njoftim paraprak. Të gjitha procedurat prokuruese nuk mund të fillojnë pa u miratuar në fillim buxheti i zgjedhjeve nga KQZ-ja, në bazë të të cilit do të hartohet regjistri shtesë i parashikimit të prokurimit publik dhe lëvrimi i fondeve nga Ministria e Financës.

Buxheti i KQZ-së për zgjedhjet e 28 qershorit
Shuma në total: 714 611 652 lekë
Pagat: 245 003 063 lekë
Mallra 102 505 035 lekë
Shërbime 147 957 000 lekë
Investime (përfshirë kamerat) 219 146 554 lekë
Kamerat 203 499 054 lekë

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›