E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Durrës-Kukës”. Padia e Telitit dhe e Tomës mbërrin në Gjykatën e Lartë

Më 25 mars pritet të përcaktohet edhe fati i dosjes në tërësi. Strumbullari që u krijua për afatet dhe ç’do të ndodhë nëse shfuqizohet vendimi

Laureta Rryçi

Tiranë - Beteja gjyqësore për dosjen “Durrës-Kukës” ende nuk ka marrë formën e prerë. Gjykata e Lartë, më datë 25 të këtij muaji, do të shqyrtojë vendimin e parë që kundërshtoi zgjatjen e afateve për hetime, të cilat sollën dhe strumbullarin e mëtejshëm, duke e futur fatin e dosjes në një rrugë pa krye. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë u shprehën dje për gazetën “Albania” se kjo padi kishte mbërritur prej ditësh në sekretarinë e Gjykatës dhe pas hedhjes së shortit u përcaktua dhe trupi gjykues që do ta shqyrtojnë. Kryesuesja është caktuar gjyqtarja Majlinda Andrea. Padia për kundërshtimin e zgjatjes së afateve i kaloi me sukses fazat si në Shkallën e Parë, ashtu edhe në Gjykatën e Apelit. Ka qenë pikërisht ky vendim në të cilin u bazua gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila e cilësoi të pavlefshëm edhe aktin e njoftimit të akuzës për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Në këtë proces pala kërkuese është ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtori Juridik, Andi Toma. Ndërsa pala e akuzuar në këtë rast është Prokuroria.
Kërkesa
Padia e parë për dosjen “Durrës-Kukës” mbërriti para tre muajsh në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Kërkesa penale u bë nga ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtori Juridik i kësaj ministrie, Andi Toma, në akuzë për “shpërdorim detyre”. Që të dy ish-zyrtarët kundërshtonin zgjatjen e afateve të hetimit nga ana e Prokurorisë dhe për një muaj (6 nëntor–6 dhjetor). Duke e cilësuar si të paligjshëm këtë vendim, Teliti dhe Toma iu drejtuan gjykatës, duke kërkuar ndërprerjen e hetimeve dhe zgjidhjen sa më parë të çështjes. Ndërsa padia e tyre kishte mbërritur në gjykatë, prokurorët e çështjes ranë dakord që Teliti të mos kishte më statusin e të pandehurit për mungesë provash, ndërsa për Andi Tomën u vendos të cilësohej i pandehur bashkë me ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha.
Me gjithë vendimin e Prokurorisë, Teliti dhe Toma i fituan beteja e para gjyqësore, duke vënë kështu në pikëpyetje të mëdha për fatin e dosjes “Durrës- Kukës”.
Gjykata e Lartë
Që vendimi të marrë formën e prerë duhet të jepet dhe verdikti i trupit gjykues në Gjykatën e Lartë. Do të jenë këta të fundit që do të përcaktojnë përfundimisht nëse institucioni i akuzës abuzoi me afatet ndaj personave që ishin në akuzë. Në të njëjtën kohë vendimi i Gjykatës së Lartë do të shërbejë për palët për t’u marrë si vendim i padiskutueshëm edhe për paditë e tjera, që dolën si kërpudhat pas shiut për të pushuar dosjen si të tërën.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›