Partia Socialiste konsultohet me Brukselin për aplikimin e Shqipërisë në BE
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Integrimin Europian në Partinë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një vizite disaditore në Bruksel dhe Strasburg, zhvilloi takime me përfaqësues të Komisionit Europian dhe anëtarë të Parlamentit Europian lidhur me mundësinë e paraqitjes së aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Qëllimi i kësaj vizite, sipas deputetit Balla, ishte konsultimi me Komisionin dhe Parlamentin Europian, nëse Shqipëria duhet të aplikojë para ose pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk duhet përdorur si një instrument elektoral. Standardi i zgjedhjeve përbën një detyrim dhe kriter të rëndësishëm për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Gjithashtu, Bashkimi Europian ka një axhendë shumë të ngjeshur politike për shkak të krizës ekonomike, zgjedhjeve europiane në fillim të muajit qershor, zgjedhja e presidentit të ri të Komisionit dhe Kolegjit”, - theksoi deputeti socialist lidhur me mundësinë e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Gjatë vizitës në Strasburg Balla pati takime me zëvendës/presidentët e Parlamentit Europian, Alejo Vidal Kuadras (PPE) dhe Kristian Vigenin (PSE). Gjithashtu ai u takua me eurodeputetët Doris Pak, Hans Soboda, Viktor Bostinaru etj. Ndërsa në Bruksel Balla zhvilloi takime me anëtarë të Komisionit Europian: me komisionerin Orban, me drejtoreshën e Njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, znj. Marta Garsia Fidalgo dhe përfaqësues të tjerë të Drejtorisë për Zgjerimin.
Një çështje shumë e rëndësishme e diskutimeve si në Strasburg, ashtu edhe në Bruksel, ishte liberalizimi i vizave me vendet shengen. “Menjëherë pas 28 qershorit qeveria e re do të intensifikojë hapat me qëllim përmbushjen e plotë të detyrimeve. Kështu që do të jetë plotësisht e mundur marrja e vendimit për liberalizimin e vizave brenda këtij viti, ndërsa 2010-a të jetë viti i realizimit të lëvizjes së lirë për shqiptarët në hapësirën europiane”, - tha Balla.
16 Mars 2009