Gjykata e Lartë të hënën do të vendosë nëse Basha është i pandehur
Gjykata e Lartë do të shprehet ditën e hënë nëse do të vazhdojë gjykimin në themel për dosjen “Durrës-Kukës”. Pas vendimeve në dy shkallët e Gjyqësorit se zgjatja e afateve është e pajustifikueshme, Gjykata e Lartë duhet të shprehet nëse do të cilësohet i pandehur ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha.
Ish-ministri i Transporteve akuzohet se në bashkëpunim me ish-drejtorin Juridik të këtij dikasteri ka abuzuar me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit “Rrëshen-Kalimash”, pjesë e rrugës “Durrës-Kukës”. Dëmi i shkaktuar shtetit llogaritet të kapë shifrën 230 milionë euro. Basha dhe Toma do të përgjigjen në Gjykatën e Lartë për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “shkeljes së barazisë në tendera”. Për abuzime me fondet u hetuan dhe ish-zëvendësministri i Transporteve Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Por për mungesë provash dhe faktesh Prokuroria e pushoi akuzën ndaj tyre. Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, është i pandehuri kryesor në këtë proces dhe i pari ministër që do gjykohet nga Gjykata e Lartë. Kjo është hera e parë që një ministër gjykohet direkt nga shkalla më e lartë e Gjyqësorit në vend, ashtu sikurse parashikohet në Nenin 141 të Kushtetutës.
16 Mars 2009