Dosja "Fazlliç", gati fletë thirrjet për bashkëpunëtorët

Prokuroria e Tiranës po përgatit fletëthirrje për bashkëpunëtorët në biznese të Damir Fazllic. Pas Erion Isufit, në prokurori do të dëshmojnë edhe Flutura Kola, si dhe persona të tjerë, që kanë apo kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me shtetasin serbo-boshnjak.
"Grupi hetimor ka përgatitur fletëthirrje për Flutura Kolën, avokaten e Fazlic në Shqipëri. Gjithashtu, pritet të pyetet edhe Dionis Teqja, një nga bashkëpunëtorët e dyshuar të tij", thanë burimet nga Prokuroria e
Përgjithshme.
Sipas tyre, dyshohet se Isufi dhe Teqja kanë pasur marrëdhënie biznesi me Fazllic, gjatë kohës që serbo-boshnjaku dyshohet se ka kryer veprën penale të pastrimit të parave.
Ndërkaq, në lidhje me dëshminë e Isufit, grupi hetimor deklaron se nuk kanë përfituar ndonjë të dhënë që mund të hedhë dritë për dosjen hetimore ndaj Fazlliç. Isufi ka
përjashtuar veten nga bizneset e serbo-boshnjakut, duke deklaruar se në fillim të aktivitetit të tij ka qenë administrator dhe më pas ka dhënë dorëheqjen.