E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pallati i vdekjes”, vlera e dëmit material 80 mln lekë

Nga Ismail Xhaferri
Pas tragjedisë, drejtues të Bashkisë, Prefekturës e Këshillit të Qarkut ngritën shtabet e emergjencave dhe grupet e vlerësimit për llogaritjen e dëmit ekonomik të shkaktuar nga tragjedia 

GJIROKASTËR -Vlera e dëmit material të “pallatit të vdekjes” që shkaktoi 3 viktima të pafajshme, është përllogaritur në 80 milionë lekë, ndërkohë që në këtë faturë nuk është llogaritur vlera e pajisjeve, orendive e parave që kishin 20 familjet fatkeqe që banonin në këtë pallat. “Nuk më intereson vlera e dëmit, unë humba gjithçka, shtëpinë, pasurinë, të tjerët humbën njerëzit. Ne së paku të na japin shtëpi, llogaritë t’i bëjë shteti, se për faj të tij ndodhi kjo tragjedi”, - pohoi për Gazetën një prej banorëve të ish-pallatit të rrafshuar. Drejtues të Bashkisë pohuan dje se kanë përfunduar dosjet përkatëse nga grupet e vlerësimit dhe shumë shpejt ato do të dërgohen në Ministrinë e Brendshme e qeveri, ku do të merret vendimi përkatës.
VLERËSIMI
Pas tragjedisë, drejtues të Bashkisë, Prefekturës e Këshillit të Qarkut, krahas punës për mbajtjen e situatës në kontroll, ngritën shtabet e emergjencave dhe grupet e vlerësimit për llogaritjen e dëmit ekonomik të shkaktuar nga tragjedia. Këto grupe, me specialistë të ndërtimit, financierë dhe ekspertë të fushave të tjera, punuan intensivisht dhe përpiluan dëmin konkret në objekt si dhe faturën financiare të këtij dëmi. “Vlera financiare e dëmit arrin në 80 milionë lekë. Dosja e përfunduar dhe e kompletuar me të gjithë dokumentacionin është nisur menjëherë në drejtim të Ministrisë së Brendshme, për të mundësuar lëvrimin e këtij fondi”, - pohuan drejtues të Këshillit të Qarkut. Ndërsa Spiro Ksera, prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, tha se “është kontaktuar me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha dhe ai ka premtuar shpejtim të procedurave për këto dosje. Kryeministri Berisha ka dhënë të gjitha garancitë se shuma e përcaktuar nga ekspertët do të akordohet shumë shpejt për të bërë të mundur zgjidhjen e këtij problemi madhor”.
PROBLEMI
Drejtuesit vendorë konfirmojnë vlerën e faturës për pallatin e shembur, por nuk japin shpjegime nëse paratë do t’u jepen në dorë të pastrehëve, apo vetë shteti do të angazhohet me ngritjen e banesave apo blerjen e tyre. “Për momentin na është kërkuar vlerësimi për dëmin e objektit, ndërsa procedurat do të përcaktohen në qeveri në të ardhmen”, - pohojnë për Gazetën drejtues të Prefekturës. Ndërsa për Flamur Bimen, kreun e Bashkisë, krahas probleme të tjera, ende është i pastabilizuar mirë problemi i familjeve të pastreha. Kjo për shkak se një pjesë e tyre nuk kanë shkuar në hotel “Majko”, por janë tek të afërmit. Por kjo, sipas tij është zgjidhje e ditës. “Për të lehtësuar jo vetëm dhimbjen e të dëmtuarve, por edhe për t´i ndihmuara ata me materiale e sendet të nevojshme deri në zgjidhjen e problemit të strehimit, duhet të marrim masa më të shpejta”, - shton ai. Për këtë qëllim, shtabet e emergjencave dhe strukturat vendore po përpiqen për një bashkërendim më të mirë të punëve.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›