E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Mazhoranca, retorikë për reformën zgjedhore

Valentina Leskaj shprehu dje vullnetin e qartë dhe vendosmërinë e PS-së, për të kryer në kohë reformën zgjedhore. Kryetarja e grupit kuvendar të PS-së shtoi se, në të kundërt, mazhoranca nuk po i përgjigjet në të njëjtën mënyrë detyrimit për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.

Valentina Leskaj shprehu dje vullnetin e qartë dhe vendosmërinë e PS-së, për të kryer në kohë reformën zgjedhore. Kryetarja e grupit kuvendar të PS-së shtoi se, në të kundërt, mazhoranca nuk po i përgjigjet në të njëjtën mënyrë detyrimit për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. “I kemi kërkuar mazhorancës që të përshpejtojë punën, dhe unë besoj se çështja e reformës zgjedhore është shumë më komplekse, sepse nuk mund të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, në qoftë se nuk garantojmë kartat e identitetit dhe regjistrin. Ditën e shtunë unë kam kërkuar nga mazhoranca që të ketë disa afate kohore konkrete për sa i përket përfundimit dhe shpërndarjes”, - tha Leskaj, ndërsa shtoi se deri më dje nuk ka pasur asnjë përgjigje, përkundrazi vetëm retorika. Në krahun tjetër, ajo e cilësoi si të papranueshëm qëndrimin e LSI-së lidhur me Kodin Zgjedhor, që sipas kësaj force politike do të ishte një tjetër pakt mes PS-së e PD-së. Numri një i socialistëve në Kuvend e cilësoi deklaratën e shprehur nga Spartak Braho si një mashtrim. “Nuk ka asnjë pakt në këtë rast, përkundrazi ajo që unë kam bërë të qartë ditën e shtunë, është fakti që ne kemi propozuar një komision të kodit elektoral, me përfaqësim të të gjitha partive politike kuvendare. Unë nuk e di se ku mund të qëndrojë këtu pakti”, - deklaroi ajo. Valentina Leskaj u ndal edhe tek një tjetër çështje e ditës: projektligji i mazhorancës që lidhet me titujt e pronësisë mbi tokën. Ajo shprehu kundërshtinë e grupit kuvendar të PS-së mbi këtë projektligj, që e cilëson si të gabuar. “Është një projektligj, i cili ngrihet për të korrigjuar dhe për të verifikuar një ligj që është tashmë në fuqi. Është një projektligj i cili krijon një komision, që i jep të njëjtët atribute që iu dhanë së fundmi dhe ALUIZNI-t. Pra, një komision i cili mund të japë dhe mund të heqë tituj pronësie dhe kjo është një shkelje skandaloze, të cilën ne nuk mund ta pranojmë”, - tha Leskaj. Liderja e socialistëve në Kuvend u shpreh se projektligji u krijon mundësinë demokratëve që të ngrenë përpara zgjedhjeve komisione, të cilët të japin dhe të heqin titujt e pronësisë. Ajo garantoi se socialistët do të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese kalimin e këtij projektligji në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›