Të vegjlit, mosbesues

Lëvizja Socialiste për Integrim e sheh me mosbesim hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, pa një pakt paraprak mes socialistëve dhe demokratëve. Ndryshe nga deputeti i LSI-së, Spartak Braho, Neritan Ceka është në pritje të një kompromisi të gjerë politik, ndryshe nga sa ndodhi sipas tij, në rastrin e ndryshimeve kushtetuese. “Ne kemi kërkuar që të kalojë nga një komision i posaçëm i ri parlament, jo tek ai i vjetri. Ky komision duhet të fillojë menjëherë nga puna, por bazuar tek përfaqësuesit politikë në Kuvend. Ndryshe nga imponimi që u bë për Kushtetutën, pavarësisht rezultatit të paraqitur në tabelë, kodi duhet të jetë rezultat i kompromisit”, - thotë presidenti i PAD-së. Por Spartak Braho i LSI-së mendon se edhe Kodi do të ketë fatin e ndryshimeve kushtetuese, që për LSI-në u miratuan me konsensus të fshehtë PS-PD. “Kodi Zgjedhor është tradhtia e tretë e Edi Ramës me Berishën. Një produkt i dalë nga skutat e Fatmir Xhafës në mënyrë të fshehtë dhe aspak transparente. Ndërkohë, Kodi duhet të jetë pjesë e angazhimit jo vetëm për partitë e mëdha, por për gjithë faktorët politikë. Gjithsesi, ky Kod është seria e tretë e telenovelës “Rama-Berisha”, - deklaroi ai. Lidhur me mundësinë e shmangies së kësaj përplasjeje, duke zhvilluar një tryezë paraprake mes partive të majta, Braho tha se kjo kërkesë në fakt është bërë nga LSI-ja. “Kjo kërkesë i është bërë PS-së nga ana jonë dhe është refuzuar, sepse Rama e ka pasur më të lehtë të diskutojë me Berishën, sesa me aleatët”, - u shpreh Braho. Qëkurse LSI-ja u largua nga koalicioni i majtë, tryeza e partive të majta nuk është mbledhur për të unifikuar qëndrimet politike. Në fakt, të paktën mediatikisht ka qenë LSI-ja që i ka mbyllur mundësitë e bashkëpunimit, pikë së pari me kreun e PS-së, Edi Ramën. Ndërkaq, sikundër për LSI-në, edhe për PAD-në ideja e rikthimit të KQZ-së me 7 anëtarë është e papranueshme. Por Neritan Ceka shprehet kundër, mbi të gjitha, të përbërjes politike të KQZ-së. “Unë kam qenë gjithmonë për një KQZ, jo politike, që funksionon si një gjykatë, natyrisht edhe me funksione të menaxhimit. Përzgjedhja e anëtarëve duhet të bëhet njësoj si për gjykatat, por padyshim t’i largohet politikës. Kjo do të ishte njësoj sikur kapitenët e ekipeve të kishin edhe nga një bilbil e ta përcaktonin ata pastaj rezultatin e ndeshjes”, - deklaroi kreu i PAD-së. Ideja e rikthimit të KQZ-së me 7 anëtarë, duke hequr atë të LSI-së dhe PDK-së, është publikuar më parë nga “Korrieri”. Sipas burimeve të asaj kohe nga komisioni i reformës zgjedhore, thoshin se tashmë dy të mëdhenjtë janë në një mendje për këtë çështje.