Një zemër e re
Në fillim, ideja i ishte dukur çmenduri edhe Doris Taylor, pedagoge e Mjekësisë dhe Filozofisë në Universitetin e Minesotës, e cila gjithmonë ka pasur një moto të sajën: “Beso në idetë e çmendura”. Sot, në të gjithë laboratorët e botës, studiuesit pyesin veten se përse e kishin lënë pas dore këtë nismë. Në fakt mjafton të kopjosh atë që ka krijuar nëna natyrë për të “ndërtuar” një zemër të gjallë, që është e pajtueshme me atë çka ndien. Ndoshta për momentin mund të jetë një mi ose derr, por në të ardhmen (shpresohet) mund të jetë një njeri, i cili pret për një transplant.
Rruga e vështirë drejt rigjenerimit të zemrës nuk është numri apo lloji i qelizave të nevojshme, por si të kërkojmë një strukturë tredimensionale përmbledhëse: “Zemra është një organ i mrekullueshëm dhe as nuk çohej nëpër mend që mund të ‘ndërtohej’ në laborator. Ky organ muskulor realizon pompimin e gjakut në enët e gjakut me anë të kontraksioneve të përsëritura ritmike. Zemra është një prej organeve të para që formohet në trupin e njeriut gjatë zhvillimit embrional”, thotë doktoresha.
Mendimi për të rikrijuar “zemrën e re” i erdhi në mendje para tri vitesh, kur u kujtua se mund të transplantonte valvulat e derrit te njeriu, në këmbim të atyre defektoze. Për të shmangur flakjen duhej fillimisht të zhvisheshin nga pjesa qelizore dhe më pas të mbahej vetëm matrica ekstraqelizore (matrica ekstraqelizore zëvendëson çdo pjesë të një indi që nuk është përbërës i një qelize), pra “skeleti”. Për analogji mendoi se në të njëjtën mënyrë mund të merrte një zemër nga një kufomë, ta “zhvishte” nga qelizat, duke i lënë vetëm formën dhe më pas ta bashkonte me qelizat e gjalla. “Janë dashur tre vjet punë, me gabime dhe korrigjime, por tani jemi në rrugë të mbarë”, thotë Taylor e kënaqur.
Zemra e parë mbi të cilën kanë eksperimentuar është ajo e miut: nuk e kanë bashkuar me asnjë qelizë, duke mbajtur matricën ekstraqelizore që karakterizon barkushet, enët e gjakut dhe valvulat. Në këtë pikë, zemra e minjve nga e kuqe u bë e bardhë dhe e palëvizshme. Më pas në “skelet” injektuan disa qeliza të marra nga zemra. Zemrën e futën në një vend për t’u zhvilluar.
Kur mendohet për zemrën, nuk imagjinohet një grumbull qelizash të vetme. Në të vërtetë është përbërja e të gjitha llojeve të ndryshme të qelizave që i japin zemrës aftësinë të pompojë gjakun. Disa qeliza formojnë indin lidhor, shtresë të cilën doktoresha e ka përdorur për mbjelljen e saj, të tjera bëhen valvula kardiake, ndërsa pjesa tjetër janë qeliza muskulore që i japin zemrës aftësinë për të pulsuar.
Nëse shkatërrohet zemra e një embrioni (përmes enzimave të ndryshme) dhe këto qeliza vendosen në një pllakë laboratori, do të vërehet se pas pak kohësh, disa prej tyre do të fillojnë të pulsojnë në mënyrë të pavarur nga të tjerat. Disa pulsojnë më lehtë, të tjera më fort. Qelizat pulsojnë në mënyrë autonome deri në momentin që nuk do të preken me njëra-tjetrën. Por pas dy apo tri ditësh këto qeliza shumëfishohen, formojnë një shtresë unike dhe fillojnë të pulsojnë të gjitha njëherësh. Mbi muret e qelizave janë formuar disa pore, përmes të cilave citoplazmat e brendshme të qelizave hynë në kontakt. Mjafton vetëm kjo që qelizat të punojnë të gjitha së bashku, duke u paraqitur si një organ i vetëm. Nëse qelizat nuk pulsojnë të gjitha njëherësh vërehet një aritmi dhe për t’i sinkronizuar përdoret një shkarkesë elektrike.
Kjo shpjegon se pse studiuesit i kanë stimuluar këto zemra elektrikisht dhe bënë të mundur rrjedhjen e gjakut për dhjetë ditë brenda këtyre zemrave për t’i rritur. Katër ditë pas mbjelljes së qelizave mbi pllakë është shfaqur tkurrja e parë dhe pas tetë ditësh, zemrat po pulsonin. “Morëm një pjesë të këtyre zemrave të reja dhe i pamë në mikroskop. Qelizat ishin aty, si më parë. U ngjanin qelizave kardiake. Dhe jo vetëm kaq. Qelizat ishin riorganizuar në murin e zemrës: ato që duhej të bënin enët e gjakut ishin spostuar ku ndodheshin enët dhe aty kishin zënë vend. Ato që duhej të bënin muskujt ishin angazhuar në muret e zemrës dhe kishin filluar të bënin muskuj të rinj”, shton më tej doktoresha.
Kjo na thotë shumë gjëra, se “skeleti” i zemrës, indi ekstraqelizor, përmban më shumë informacione nga ç’ishte parashikuar dhe se qelizat dinë si të përgjigjen. “Kur vumë re tkurrjen e parë, mbetëm pa fjalë”, thotë një tjetër studiues. Në fakt, brenda dy javëve, qelizat kishin formuar një zemër të re pulsuese.
Sot pyetjet e ndryshme mbi krijimin e zemrës së re nuk marrin ende një përgjigje. Zemrat e disponueshme për transplant janë pothuajse një e treta e atyre që nevojiten. Tani studiuesit hedhin hipoteza se me këtë teknikë mund të prodhohen edhe organe të tjera si veshkat, mëlçia, mushkëritë, pankreasi. Nëse kjo metodë do të funksionojë, atëherë nuk do të ketë më pacientë që do të presin muaj të tërë për një organ.
#