E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Kashari”, jepet pretenca për 7 të akuzuarit

Jepet pretenca për 7 të akuzuarit e dosjes “Kashari” nga ana e Prokurorisë. Të pandehurit akuzohen për "korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë", "shpërdorim detyre", "falsifikim të dokumenteve" dhe "mashtrim në bashkëpunim". 

TIRANE- Prokuroria jep pretencën për 7 nga 10 të akuzuarit për abuzime me pronat në Kashar. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, prokurori i çështjes ka kërkuar
12 vjet burg për ish-kryetarin e komunës Alfred Sula,
9 vjet burg për Faik Fejza, me detyrë ish-kryetar i Komunës së Kasharit,
8 vjet burg për Islam Sherën ish- kryeplaku i kësaj komune,
6 vjet burg për Shefqet Aliko përgjegjës i zyrës së Kadastrës,
10 vjet burg për Ismail Sulën,
7 vjet burg për Xhevahir Hykën, të dy banues në Kashar, si dhe,
3 vjet burg per Bardhyl Kamberin, i cili aktualisht është në liri në provë.

Të pandehurit akuzohen për veprat "korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë", "shpërdorim detyre", "falsifikim të dokumenteve" dhe "mashtrim në bashkëpunim". Mësohet se të gjithë këta persona dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës dhe përfituar vetë gjithashtu sipërfaqe nëpërmjet firmave që kanë hedhur.
Shpërdorimi i detyrës në komunën e Kasharit ka nisur që në vitin 2000, kur ajo drejtohej nga Naim Karaj. Këto abuzime kanë vijuar edhe nga pasardhësit e tij, Faik Fejzo dhe Alfred Sulaj. Fillimisht ata dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, në bashkëpunim me ish-kryeplakun e fshatit, Islam Shera dhe me përgjegjësin e dy punonjës të Kadastrës së Kasharit. Ata kanë pajisur me vërtetime pronësie persona të ndryshëm, duke mos qenë banorë të kësaj komune, kundrejt përfitimeve të paligjshme, madje në raste të tjera, tapitë ua kanë ndarë miqve dhe të afërmve të tyre. Abuzimi tjetër konsiston në ndryshimin e trojeve, nga tokë bujqësore, në troje për ndërtim pallatesh shumëkatëshe. Bëhet fjalë për të paktën 150 dynym tokë bujqësore, mbi të cilën janë ndërtuar pallate. Në këtë formë ata kishin përfituar shuma të mëdha parash, duke dhënë leje ndërtimi pallatesh edhe pse nuk ishte kompetencë e tyre.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›