Plagos me thikë gruan nga xhelozia, prangoset 50-vjeçari
KORÇË – Një 50-vjeçar ka dyshuar se gruaja e tij e tradhtonte gjë që e ka nxitur atë ta qëllojë disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda, por më pas është prangosur. Ngjarja ndodhi dje në qytetin e Korçës, kur një zënkë mes bashkëshortëve ka degjeneruar në përleshje dhe tentativë vrasjeje nga ana e bashkëshortit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se dje pasdite është arrestuar shtetasi Ismen Ismaili, lindur në fshatin Topojan të rrethit të Kukësit dhe banues në lagjen Nr. 6 të qytetit të Korçës. “Shtetasi u ndalua pas një konflikti me bashkëshorten, 38-vjeçaren Mereme Ismaili”, - thanë burimet e policisë lokale. Mësohet se shkak për ngjarjen është bërë një grindje për motive të dobëta, që dyshohet një xhelozi ndaj gruas. Në gjaknxehtësi e sipër burri ka tentuar ta vrasë me mjete të mprehta, duke e qëlluar dhe dëmtuar në trup. Gruaja është dërguar në spitalin e Korçës, ku dhe po i jepet ndihma e parë. Sipas mjekëve, ajo ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe është nën trajtim intensiv. Ndërkohë ndaj bashkëshortit, Ismen Ismaili nisi procedimi për veprën penale të “vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë”.
23 Korrik 2008