E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja ‘Kompas’ në Gjykatën e Lartë



Gjykata e Lartë pranoi të marrë në shqyrtim dosjen e trafikut të drogës "Kompas". Seanca është caktuar të zhvillohet mesditën e 26 marsit 2010. Shorti elektronik i hedhur dje në Gjykatën e Lartë, përzgjodhi gjyqtarin Andi çeliku për të kryesuar kolegjin penal prej pesë anëtarësh, që do të shqyrtojë dosjen me tetë të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim. Referuar të dhënave të publikuara në ueb-sajtin zyrtar të Gjykatës së Lartë, tetë të pandehurit Muhamet e Blenard Fejzullau, at e bir; Fatmir Kuçi, Dritan Kuçi, Arjan Xhemali (Shabani), Kujtim Popoçi, Petraq Avrami dhe Armando Andoni që njihet edhe si Arjan Selimi, i janë drejtuar Shkallës së Tretë të Gjyqësorit në vitin 2008, ndërsa deri ditën e djeshme dosja në ngarkim të tyre qëndroi në Dhomën e Këshillimit të këtij institucioni, derisa u vendos që ajo të kalonte për gjykim. E thënë ndryshe, këshilltarët e Gjykatës së Lartë kanë hasur në dosje, shkelje procedurale dhe ligjore të bëra nga dy gjykatat e mëparshme, duke vendosur në këtë mënyrë shqyrtimin e kësaj çështjeje. Ankimin në Gjykatën e Lartë e paraqitën vetë të pandehurit, me anë të avokatëve, duke kërkuar pafajësi dhe pushimin e akuzës në ngarkim të tyre. Krimet e Rënda, më 11 janar të vitit 2008, gjetën fajtorë për trafik ndërkombëtar narkotikësh të pandehurit Muhamed e Blenard Fejzullau, Fatmir Kuçi, Arjan Shabani, Kujtim Popoçi, Armand Andoni dhe Petraq Avrami, duke i dënuar respektivisht me: 5.5; 6; 6; 16; 15; 16 dhe 10 vjet burg. Ndërkohë për të akuzuarin Dritan Kuçi, gjykata vendosi ta deklaronte të pafajshëm në bazë të nenit 388, pika 1, germa "d", të Kodit të Procedurës Penale pasi gjatë gjykimit nuk u arrit të provohej se ky i pandehur e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Në momentin që shpalli vendimin, gjykata u shpreh për lirimin e menjëhershëm të tij nga qelia, ndërsa në fakt edhe organi i Prokurorisë, në përfundim të gjykimit kishte kërkuar pushimin e akuzës për të. Pas kësaj të pandehurit e dënuar iu drejtuan Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, ku pas shqyrtimit të ankimeve të tyre, Shkalla e Dytë vendosi të linte në fuqi vendimin e Faktit për Muhamet e Blenard Fejzullaun, Fatmir Kuçin, Petraq Avramin dhe pafajësinë e Dritan Kuçit. Po kështu Apeli la në fuqi vendimin për sa i përket kualifikimit ligjor të akuzës dhe fajësisë në ngarkim të Armando Andonit, Kujtim Popoçit dhe Arjan Xhemalit, duke u ulur këtyre dy vite nga dënimi. Njëkohësisht me të dënuarit edhe Prokuroria paraqiti apelim dhe rekurs, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Krimeve të Rënda për ta. Krimet e Rënda argumentuan në vendim, se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin trafikuar drejt Italisë gjatë viteve 1998-2002 sasi të shumta lëndësh narkotike, ndërsa ishin përgjuar nga autoritetet italiane, të cilët kishin mundur të vinin në pranga pjesën tjetër të grupit që vepronte në këtë shtet. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›