Prokuroria analizon dosjet: Bien rastet e pafajësive
TIRANE - Prokuroria e kryeqytetit thotë se ka arritur të mbrojë akuzën në gjykatë në mënyrë efektive vitin e fundit, duke ulur ndjeshëm rastet e dhënies së pafajësisë nga togat e zeza për personat e pandehur. Sipas analizës së shifrave për vitin 2009, gjykatat dhanë vetëm 71 pafajësi për dosjet e Prokurorisë së Tiranës, duke shënuar ulje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Sipas Prokurorisë, rënia e numrit të pafajësive të dhëna nga gjykata vlerësohet si pasojë e hetimeve të vlefshme, por edhe e përzgjedhjes së procedimeve dhe analizimit të tyre në fazën paraprake, duke vepruar me pushimin e çështjeve në rastet e mungesës së provave. Organi i akuzës, i cili pak ditë më parë zhvilloi analizën e punës për vitin 2009, pohon se nga numri total prej 7286 çështjesh penale të shqyrtuara gjatë vitit 2009, është dhënë zgjidhje për 6 mijë prej tyre. Ndërkohë sipas organit të akuzës, Prokuroria e Tiranës ka në dispozicion vetëm 47 prokurorë, të cilët mesatarisht kanë shqyrtuar 127 dosje penale secili. Ky numër dosjesh për prokuror, konsiderohet më i larti në shkallë vendi krahasuar me prokuroritë e rretheve të tjera. Ngarkesa e madhe me dosje penale është bërë shpeshherë pengesë për probleme me afatet e hetimit dhe me zvarritjen e procedimeve penale, të hetuara nga Prokuroria e Tiranës. Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve në 171 dosje për mungesë provash, ndërsa nuk ka filluar ende 525 kallëzime. tr.so