E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Pango- Top-Channel,gjyqi kthehet në pikën zero

22/09/2011  Apeli anulon gjobën 400 mijë euro

TIRANE-Kthehet në pikën zero procesi gjyqësor mes ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, dhe televizionit “Top-Channel”. Dje Gjykata e Apelit ka rrezuar gjobën prej 400 mijë eurosh që televizionit “Top-Channel” iu vu për video-skandalin erotik të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Trupi gjykues me relatore Flutura Skënderin dhe anëtarë Artur Kalajën dhe Ilir Toskën, ka prishur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e kthyer çështjen dhe njëherë për rishqyrtim. Në vitin 2010 Gjykata e Shkallës së Parë, kishte gjetur të drejtë padinë e ish-ministrit Pango, për dëmin që ky televizion i kishte shkaktuar si rezultat i publikimit të të dhënave të pavërteta të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke gjobitur “Top-Channel” me 400 mijë euro, një prej gjobave më të larta që një medie i është vendosur ndonjëherë. Konflikti gjyqësor mes televizionit tepër të ndjekur nga publiku dhe Ylli Pangos erdhi pasi në muajin mars të vitit 2009 “Top-Channel” transmetoi një video ku ministri i Kulturës, priste në shtëpinë e tij një vajzë të re, të cilës i kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune në dikasterin që drejtonte. Vetëm pak minuta pas transmetimit të kësaj videoje Kryeministri Sali Berisha e shkarkoi nga posti i ministrit të Kulturës, Ylli Pangon, ndërsa në Parlament, politikë e media ky veprim shkaktoi një furtunë të vërtetë komentesh e opinionesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›