E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: PS në pritje të PD për negociata

22/09/2011  Reforma zgjedhore çështje debati vetëm në deklaratat e përfaqësuesve politikë

“Po mbledhim opinione për të pasur një mendim transparent dhe profesional”

Reforma zgjedhore vijon të mbetet një çështje e artikuluar vetëm në deklaratat për shtyp të përfaqësuesve politikë. Varësisht gatishmërisë që shprehin nga selitë respektive, si PS-ja, ashtu dhe PD-ja ende nuk japin një datë konkrete për nisjen e negociatave mbi një çështje të tillë. Ndërkohë socialistët nga ana e tyre fajësojnë demokratët për zvarritjen e bisedimeve për nisjen nga puna për reformën elektorale. “Jemi në pritje për të filluar negociatat me ta, por nuk kemi akoma një përgjigje. Ne jemi të gatshëm të punojmë dhe të bashkëpunojmë për të bërë një reformë zgjedhore sa më të mirë. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme për këtë proces që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, ndaj do të mbledhim opinionet dhe mendimet e gjithë grupeve të interesuara. Nuk kemi pse të nxitojmë, por nga ana tjetër nuk ka dhe shumë kohë. Ajo që është shumë e rëndësishme ne do të përcaktojmë bashkë me kolegun Gjiknuri metodologjinë dhe pastaj komisioni i reformës zgjedhore do të fillojë punën e tij”, - vuri në dukje deputetja, njëherësh dhe e mandatuara e PS-së për ndërtimin e negociatave me mazhorancën Vasilika Hysi. Po kështu deputetja socialiste rikujtoi dhe një herë faktin se tashmë opozita do të veprojë e bashkërenduar në hartimin e kodit të ri zgjedhor, ku do të merret opinioni i partive parlamentare dhe joparlamentare të kampit që drejton selia rozë, por edhe të ekspertëve dhe organizatave që kanë qenë monitoruese të zgjedhjeve. Gjithashtu gjatë fjalës së saj Hysi zbardhi dhe pikat kyçe ku do të përqendrohen diskutimet nga ana e PS-së lidhur me ndryshimet në ligjin elektoral. “Do të marrim në konsideratë deklarimet e OSBE-ODIHR-it, por do të kemi parasysh të gjitha problemet që kanë dalë në pah gjatë zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011. Kuptohet që janë shumë probleme. Ne në këtë fazë jemi duke mbledhur opinione dhe mendime për të pasur një mendim sa më transparent, profesional, jo vetëm të PS-së por dhe partive që janë në tryezën e Opozitës së Bashkuar, por dhe të ekspertëve, organizatave që kanë monitoruar zgjedhjet, konsititucionalistë etj”, - u shpreh deputetja Hysi. Gjithashtu e mandatuara e PS-së për zhvillimin e bisedimeve me PD-në theksoi faktin se “pavarësisht hartimit të një kodi sa më të mirë zgjedhor vullneti për ta zbatuar atë nga pala qeverisëse mbetet tejet i rëndësishëm”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›