E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Gasperini, në pritje firma e Ranierit

22/09/2011  Në ditë për humbjes tragjike kundër Novarës, Interi ka komunikuar shkarkimin e trajnerit Xhan Piero Gasperini. Shkak janë bërë seria e rezultateve negative. Në pesë ndeshje zyrtare me Gasperinin, Interi numëron katër humbje. Zikaltrit në fillim janë mundur nga Milani në Superkupën e Italisë, më pas nga Palermo në kampionat. Në Kigën e Kampioneve, Interi është mundur 0 : 1 në “San Siro” nga skuadra e Trabzonsporit, ndërsa goditjen e fundit ia ka dhënë Novara, e cila ka fituar me rezultatin 3 : 1. Një ditë pas kësaj humbjeje presidenti, Masimo Morati ka vendosur të shkarkojë trajnerin, të cilit sipas tij i ka ikur situata nga duart. Dje në faqen zyrtare të internetit, Interi ka komunikuar: “Interi komunikon se Xhan Piero Gasperini nuk do të jetë më në krye të pankinës zikaltër. Shkak janë bërë rezultatet negative. Pas një takimi që drejtuesit kanë zhvilluar dje me Gasperinin, është vendosur që rrugët të ndahen këtu. Interi e falënderon Gasperinin për seriozitetin dhe punën që ka bërë për skuadrën gjatë kësaj kohe.”

Gasperini: Më vjen keq!

Në momentin që Xhan Piero Gasperini është larguar nga zyrat e klubit të Interit, është ndalur për gazetarët, për të cilët ka theksuar se i vjen vërtet keq për gjithçka që ka ndodhur. Sigurisht Gasperini nuk është ndjerë mirë që aventura e tij me Interin ka marrë fund kaq shpejt, por gjithsesi ka respektuar vendimin e drejtuesve zikaltër. “Më vjen vërtet shumë keq që fundi ka ardhur në këtë mënyrë. Kam pasur një raport shumë të mirë me skuadrën dhe drejtuesit dhe prandaj më vjen keq që gjërat kanë shkuar në këtë mënyrë. Unë kam punuar shumë gjatë kësaj kohe, por gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç unë mendoja. I përshëndes të gjithë dhe falënderoj Interin për besimin që ka treguar ndaj meje gjatë kësaj kohe.”

Ranieri trajneri i ri

Klaudio Ranieri do të jetë trajneri i ri i Interit. Ish-trajneri i Romës do të zërë vendin e Xhan Piero Gasperinit, i cili është shkarkuar nga drejtuesit e Interit për shkak të rezultateve negative. Drejtuesit zikaltër kanë nisur menjëherë bisedimet me Ranierin, i cili është treguar i gatshëm të marrë drejtimin e skuadrës së Masimo Moratit. Mes dy palëve bisedimet po shkojnë shumë mirë, por për momentin mungon zyrtarizimi. Ranieri do të firmos me zikaltrit një kontratë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi. Aktualisht drejtuesit zikaltër janë duke biseduar për detajet më të vogla të kontratës me ish-trajnerin e Romës. Për momentin nuk dihet shumë se sa ai do të përfitojë, por gjithçka do të mësohet sot, në momentin që Ranieri do të firmos kontratën dhe do të bëjë prezantimin.

Alvarez drejt Arsenalit

Rikardo Alvarez mund të largohet nga Interi në merkaton e janarit për t’u transferuar te skuadra e Arsenalit në formën e huazimit. Duke iu referuar mediave angleze trajneri i Arsenalit, Arsen Venger ka pasur kontakte me drejtuesit e Interit për sa i përket mesfushorit argjentinas. Gjithçka duket e mundur, pasi Alvarez këtë sezon nuk ka luajtur asnjë minutë me zikaltrit. Venger është interesuar për mesfushorin argjentinas që në merkaton e verës, por nuk ka arritur ta fitojë duelin në distancë me zikaltrit. Oferta e Interit ka qenë më e madhe se ajo e Vengerit. Por, tani trajneri i “Topçinjve” ka menduar ta afrojë talentin argjentinas në skuadrën e tij në formën e huazimit. Dhe ja fjala e fundit i takon Interit. Janë drejtuesit zikaltër, të cilët duhet të vendosin për të ardhmen e Alvarezit. Por, para se të marrë një vendim, drejtuesit zikaltër do të bisedojnë me trajnerin e ri që do të zërë vendin e Gasperinit. Gjithsesi do të jetë trajneri i ri, i cili do të vendosë për fatin e Alvarezit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›