E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Remzi Hoxha”, dëshmojnë 2 ish-inspektorë të SHIK

Dy ish-oficerë të SHIK-ut Arjan Hysolli dhe Qerim Cako, kanë dëshmuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda për dosjen “Remzi Hoxha”, biznesmeni të zhdukur. 

TIRANË - Në procesin e sotëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda për dosjen e “Remzi Hoxhës” dëshmuan dy ish-oficerë të SHIK-ut Arjan Hysolli dhe Qerim Cako. Ky i fundit tha se atëherë ishte urdhëruar nga shefi i tij Ilir Kumbaro të ushtronte kontroll në automjetin e Remzi Hoxhës që ndodhej shumë pranë punishtes së tij në Shkozë. “Gjithçka që gjetëm në makinë” , pohon Cako, “ia dorëzuam ish-shefit Kumbaros dhe Arben Sefgjinit”.
Prokurorët e çështjes konfirmuan gjithashtu se do të kërkojnë një masë tjetër sigurie për Arben Sefgjinin dhe personat e tjerë të akuzuar për këtë ngjarje të rëndë të dhjetë viteve më parë.
Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe janë të pandehurit e këtij procesi. Ata akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë.
Për shkak të torturave ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Zhdukja e tij është denoncuar publikisht edhe nga famija e Hoxhës. Ata kanë akuzuar si autor të rrëmbimit të të dashurit të tyre edhe ish-kreun e SHISH, Bashkim Gazidede.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›