E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e Delijorgjit, në Gjykatën e Lartë

"Kam marrë pafajësinë", i është përgjigjur me një lloj krenarie që mundohej ta fshihte nën petkun e indiferencës, pyetjes se a kishte qenë i dënuar më parë. Mihal Delijorgji, i pyetur nga gjykatësi gjatë seancës për masën e sigurisë një javë më parë në Gjykatën e Tiranës, ju referua procesit për të cilin Gjykata e Apelit Durrës e kishte nxjerrë të pafajshëm për veprat penale të "Kontrabandës me mallra të tjera" dhe "Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve". Por ky proces ende nuk ka përfunduar, pasi rreth 2 javë pasi Apeli i Durrësit kishte dhënë vendimin e tij, prokuroria e kishte ankimuar këtë vendim, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Në fillim të muajit janar të këtij viti, në Gjykatën e Lartë është depozituar rekursi i Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Durrës, ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit të këtij rrethi në 17 dhjetor 2007, vendim i cili shpallte të pafajshëm Delijorgjin. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Lartë, rekursi mban numrin 00122 dhe është nga çështjet e para që janë regjistruar për këtë vit në këtë gjykatë. Në këtë mënyrë, krenaria e Delijorgjit- ndërsa e shpallte veten të pafajshëm për akuzat që Prokuroria e Durrësit, por edhe Drejtoria e Doganës së këtij qyteti -duket disi e tepruar. Ndonëse vendimi i Gjykatës së Lartë për shkak të procedurave dhe mënyrës së funksionimit të kësaj gjykate, mund të zgjasë, gjithsesi është një vendim që lë hapur të gjitha mundësitë për një fajësim të Delijorgjit për dy akuzat e lartpërmendura.

Procedurat e punës së Gjykatës së Lartë parashikojnë se një kërkesë që i paraqitet kësaj gjykate kalon fillimisht në dhomën e këshillimit. Hidhet shorti dhe një trup gjykues shqyrton dosjen e paraqitur, duke synuar të verifikojë nëse ankimuesi ka sjellë prova dhe elementë të tjerë që nuk janë paraqitur në shkallët e tjera të gjykimit. Në këtë mënyrë vendoset nëse çështja do t‘i kalojë për gjykim kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, apo do të refuzohet. Kjo procedurë, megjithëse nuk ka një afat të përcaktuar kohor se kur duhet të përfundojë, zakonisht zgjat maksimumi një vit. Më pas, nëse dosja kalon dhomën e këshillimit, çështja kalon për gjykim në Kolegjin penal. Deri në momentin e marrjes në shqyrtim nga ky kolegj mund të kalojë sërish kohë, por shqyrtimi nuk zgjat më shumë se 2 seanca. Në këtë mënyrë, Mihal Delijorgji ende nuk u ka shpëtuar akuzave të para që janë ngritur nga prokuroria, ndërsa tashmë do të duhet të përgjigjet edhe për të paktën një akuzë tjetër që lidhet me tragjedinë e Gërdecit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›