Dosja e Ylli Kelmendit në gjykatë, prokuroria mbyll hetimet
TIRANE- Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen ndaj Ylli Kelmendit. Dëshmitari i vrasjes së "Mirit të Xhikes" do të ulet sërish në bankën e të akuzuarve për t'u gjykuar për "mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak". Kjo akuzë për të cilën janë kryer hetime prej më shumë se dy muajsh, është lëshuar edhe disa herë të tjera mbi të. Regjistrimi i dosjes së gjykimit të Kelmendit mësohet se është bërë pak ditë më parë, ndërsa tashmë pritet të fillojë gjykimi ndaj tij. Ylli Kelmendi do të arrestohej për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që policia tha se po e kërkonte për ta shoqëruar në sallën e gjyqit, ku Lavdërim Tufa prej më shumë se 7 vitesh rropatet me drejtësinë për të hequr nga vetja dënimin me burgim të përjetshëm, masë kjo e dhënë për të pasi ai është i arrestuari, i hetuari dhe i gjykuari i vetëm për vrajen e trefishtë në fundmarsin e vitit 2003 në "Kartodrom 2000". Në këtë masakër ku humbi jetën Fatmir Rama, një ndër miqtë dhe njerëzit më të afërt të Ylli Kelmendit, ky i fundit do të ishte jo vetëm dëshmitari i vetëm okular, por ai ka pranuar se edhe qëlloi mbi dy personat që lëshuan breshëri automatiku mbi shokët e tij. Ndërsa Kelmendi disa herë do të dëshmonte pafajësinë e Lavdërim Tufës në atë ngjarje, gjykata dhe prokuroria kanë kërkuar sërish të sillej në sallë si dëshmitar e për pasojë policia ka nisur kërkimin e tij, ndonëse vendndodhjet e Ylli Kelmendit njiheshin prej tyre. Ai mbahet në pranga edhe për municion, ndërsa iu sekuestrua vetëm një pistoletë.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)