E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, sot përballja e parë direkte që nga 21 janari

TIRANE-Deputetët e opozitës do të përballen sot në seancën parlamentare me maxhorancën, për herë të parë pas ngjarjeve të 21 janarit. Pritet që kjo të jetë një seancë e zhurmshme dhe e tensionuar, për më tepër, në rast se aty do të marrë pjesë edhe kryeministri Sali Berisha.
Ligjvënësit socialistë kanë vendosur dje të diskutojnë në pjesën e parë, atë të 60-minutëshit, por në rast se do të ketë përgjigje qoftë edhe për një nga deputetët e grupit, ata do t’i përgjigjen fjalë për fjalë kryeministrit, të cilin ata e etiketojnë “vrasës” dhe “përgjegjës kryesor për vdekjen e 4 demonstruesve”. Madje, mendohet që kjo seancë të kthehet në një të ngjashme me atë të 17 janarit, kur kryeministri Berisha dhe deputetët e PS-së u përplasën tek podiumi i sallës së seancave. Seanca e fundit parlamentare, e cila degjeneroi në akuza të ashpra dhe deklarata të forta të kryeministrit të vendit, ka pasur një ndikim të madh dhe është interpretuar edhe nga parlamentarë të Bashkimit Evropian. Nuk dihet ndërkaq nëse për shkak të tensionit që mund të zhvillohet, kjo seancë të kalojë edhe rreth 10 projektligje e kalendarin e punimeve që janë vënë në rend të ditës nga maxhoranca, në mungesë të përfaqësuesve të opozitës në Konferencën e Kryetarëve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›