Dosja e rrugës Durrës-Kukës, dorëzohet në gjykatë
Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse e çështja e hetimit mbi rrugën Durrës- Kukës ndodhet ende në shqyrtim në gjykatën e faktit në Tiranë, e ka dërguar në Gjykatën e Lartë dosjen hetimore për rrugën Durrës-Kukës. Dosja ku ish- ministri i Transporteve, Lulëzim Basha akuzohet për abuzime me detyrën, do te hapet ditën e martë nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Ministri Basha akuzohet për shpërdorim fondesh gjatë kohës që ai ka qenë Ministrër i Transporteve. Sipas të dhënave dosja “Basha” përbëhet nga 4 fashikuj, dhe në zarfin e dorëzimit të dosjes ndodhet firma e kryeprokurores Ina Rama. Vendimi i prokurorisë për vazhdimin e hetimeve, megjithëse këto janë pezulluar nga gjykata dhe janë cilësuar të pavlefshme në bazë të një vendimi të gjykatës së datës 18 nëntor, është komentuar nga avokati i ministrit Basha si një lëvizje me prapavijë politike. “Shpërfillja flagrante e detyrimeve ligjore dhe e vendimit të gjykatës demonstron qartë prapavijën e pastër dhe prapaskenat politike të trajtimit të kësaj çështjeje dhe përdorimin si një mashë politike të Prokurorisë së Përgjithshme”, theksoi pak ditë më parë Nikaj.