E Shtunë, 31 Tetor 2026

Melamina; Cilat produkte nuk duhet të blejmë

Rastet e vazhdueshme të sëmundjes së fëmijëve për shkak të përmbajtjes së melaminës në qumësht, duket se kanë krijuar alarm në mbarë botën. Nëse doni të dalloni se cilat produkte ushqimore, me përmbajtje qumështi vijnë nga Kina, atëherë mos u mjaftoni vetëm në shenjën “Made in China”. Në këtë mënyrë, do të duhet të shihni barkodin e produktit ushqimor. Barkodi i produkteve të prodhuara në Kinë nis me 690, 691, 692, 693, 694 ose 695. Ndërkohë që produktet e prodhuara në Tajvan nisin me 471.

Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën e mijëra të tjerë janë prekur nga sëmundjet e krijuara për shkak të qumështit me përmbajtje melamine që e ka origjinën nga Kina. Deri më sot, organizatat ndërkombëtare nuk janë shprehur se ka kaluar rreziku, përkundrazi kanë kërkuar që të gjitha vendet të kenë kujdes nga importet kineze me përmbajtje qumështi. Ndonëse në vendin tonë nuk ka pasur asnjë rast të “tentakulave” të skandalit kinez, rreziku mbetet ende i dukshëm.

Çfarë nuk duhet konsumuar

Një sërë produktesh ushqimore mund të jenë të prekura nga melamina. Të gjitha ato ushqime që kanë përbërje qumështi dhe që kanë si origjinë kinën, mund të jetë pjesë e këtij problemi, sipas specialistëve. Deri tani në vendin tonë nuk është gjetur asnjë rast qumështi, apo produkti të përbërë prej tij që të jetë me përqindje të lartë melamine, por në vendet fqinje ka pasur raste të produkteve të bllokuara, që kanë rezultuar me melaminë.

Ajo që është e rëndësishme, është se nënproduktet e qumështit janë të shumta, duke përfshirë këtu edhe biskotat, tortat etj., të cilat kanë përmbajtje qumështi. Në këtë mënyrë, nëse vërehet se ato kanë prejardhje nga Kina, duhet pasur kujdes. Ndërkohë, për fëmijët, që janë edhe kategoria më e prekur, mjekët këshillojnë nutricionin, si zgjidhjen më të mirë.

Kujdes! Barkodi

Por, nëse doni të dalloni se cilat produkte ushqimore, me përmbajtje qumështi vijnë nga Kina, atëherë mos u mjaftoni vetëm në shenjën “Made in China”. Në këtë mënyrë, do të duhet të shihni barkodin e produktit ushqimor. Barkodi i produkteve të prodhuara në Kinë nis me 690, 691, 692, 693, 694 dhe 695. Ndërkohë që produktet e prodhuara në Tajvan nisin me 471.

Barkodi që nis me këto shifra tregon se produkti është prodhuar në Kinë. Nëse ky produkt ka përmbajtje qumështi, ose është qumësht, atëherë duhet pasur kujdes në konsumim. Specialistët tregojnë se ende nuk është i sigurt qumështi kinez, të paktën edhe për disa muaj të tjerë, kjo pasi rastet e sëmundjes nga melamina janë shfaqur edhe rishtazi në shtetin aziatik.

Melamina

Melamina është një substancë kimike me bazë organike, që shfaqet në formën e kristaleve të bardha, të pasuruara me nitrogjen në masën 66%. Ajo përdoret gjerësisht në industrinë e plastikës, enëve të gatimit, tabelave të bardha, si edhe për dekorimin e shtëpive. Shtimi i melaminës në produktet ushqimore nuk është i pranuar nga FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara e Ushqimit dhe Bujqësisë). Industrialistët preferojnë melaminën, pasi ajo përmban të njëjtën proteinë si qumështi, e në këtë mënyrë duke e përzier me qumështin pluhur, përftohet një produkt, që nuk dallohet nga qumështi i zakonshëm, qoftë në shije apo në pamje, por që është shumë herë më i lirë. Sinjalet e para në Kinë për praninë e saj, kryesisht në ushqimet për qentë dhe macet, u dhanë në mars të vitit 2007, por reagimi i qeverisë kineze qe i ngadaltë, deri në dhënien e pasojave në shëndetin e foshnjave dhe fëmijëve që konsumonin qumësht pluhur dhe produkte të tjera të realizuara prej tij. Në kushtet e globalizimit të shoqërisë, sundimi i tregjeve nga produkte që vijnë anë e mbanë globit ka shtrirë panikun në shumë prej vendeve që kanë një marrëdhënie importi me kompanitë e qumështit në Kinë.

Qumështi i bllokuar në Shqipëri

Dy muaj më parë, Ministria e Bujqësisë lajmëroi bllokimin e një sasie të konsiderueshme qumështi që ishte importuar nga Kina, pas një udhëzimi të Bashkimit Evropian, për ndalimin e produkteve dhe nënprodukteve të qumështit që vijnë nga vendi aziatik. Urdhri i ministrit së Bujqësisë, z. Jemin Gjana, parashikonte bllokimin e qumështit dhe produkteve të tjera me bazë qumështi, nëse gjendeshin në tregun tonë.

Këtyre produkteve u bë analiza mbi përmbajtjen e melaminës në një laborator të një vendi të Bashkimit Evropian. Por përmbajtja e melaminës nuk doli e lartë, e si pasojë produkti nuk u asgjësua. Pas këtij rasti, asnjë produkt me prejardhje nga Kina nuk është bllokuar nga autoritetet shqiptare, ndonëse fluksi i importimit të tyre është ulur ndjeshëm, sipas sipërmarrësve.

Skandali në Kinë

Skandali i ushqimit të foshnjave në Kinë nuk ka marrë fund. Jo vetëm pluhuri i qumështit, por edhe qumështi i freskët duhet të jetë i dëmtuar me lëndën kimike melaminë. Në fillim të shtatorit u konstatuan rastet e para në Kinë, ku disa fëmijë u helmuan nga qumështi, i cili kishte përbërje të lartë melamine.

Në mesin e shtatorit në Kinë u shtruan në spital rreth 6.000 bebe. Këto raste u konstatuan se ishin helmuar nga qumështi pluhur me melaminë. Por jo vetëm qumështi pluhur, por edhe raste helmimi me qumështin e freskët janë konstatuar në Kinë gjatë muajit shtator. Inspektorët në Kinë, në 10 produkte të kontrolluara, kanë mundur të dëshmojnë lëndën e rrezikshme kimike.

Të prekura janë, ndër të tjera, ndërmarrjet e mëdha të përpunimit të qumështit në vend: "Mengniu", "Yili" dhe "Bright". Nga analizat e bëra në pluhurin e qumështit, në të është gjetur kimikatja industriale melaminë, që shkakton gurë në veshka. Vitin e kaluar melamina ishte shkaktari kryesor për vdekjen ose sëmurjen e mijëra maceve dhe qenve në SHBA, që konsumonin ushqim kinez me këtë shtojcë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›