E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzimi; Avokati Nikaj nuk firmos aktet procedurale në Prokurori



Avokati i Lulzim Bashës nuk pranoi dje të firmosë dosjen penale të Prokurorisë së Përgjithshme në ngarkim të klientit të tij, ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Avokati u paraqit në organin qendror të akuzës mesditën e djeshme, por refuzoi të hedhë firmën në dosjen e përgatitur nga akuza, duke deklaruar se klienti i tij nuk është i pandehur, por person nën hetim. Prania e avokatit Nikaj dje në Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë mjaft e domosdoshme për shkak të faktit se nëse avokati nuk do të paraqitej, atëherë prokurorisë do t’i duhet të caktonte një avokat nga shteti dhe ta dërgonte ministrin Basha në Gjykatën e Lartë si të pandehur në mungesë. Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar sërish ftesë avokatit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që të paraqitet në këtë institucion për të firmosur aktet e procedimit penal ndaj Bashës. Ftesa e firmosur nga prokurori Arben Kraja i është dorëzuar gjatë seancës së zhvilluar dy ditë më parë në Gjykatën e Tiranës mbrojtësit ligjor të Bashës, Zef Nikajt.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›