Ina Rama; Mbron prokurorët, akuzon gjykatat si neglizhente
Akuza të ndërsjella mes Prokurores së Përgjithshme, ministrit të Drejtësisë dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve lidhur me vonesat në ekzekutimet e vendimeve penale, nga ku për pasojë mjaft persona rrinë padrejtësisht në burg. Kreu i institucionit të drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili muaj më parë kishte akuzuar publikisht dy prokurorë të Shkodrës për vonesa në ekzekutim të vendimeve penale, siguroi dje për kapërcim të hendeqeve që ekzistojnë midis institucioneve. Ndërkohë që drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, akuzoi organin e akuzës për vonesat në ekzekutimet e vendimeve, çka sjellin sipas tij deformimin e individit dhe shpenzime të panevojshme në burgje. Reagimi i Kryeprokurores ka qenë i menjëhershëm, duke argumentuar pse prokurorët nuk janë fajtorë për këto vonesa. Sipas saj, janë gjykatat ato që neglizhojnë në dhënien e vendimeve penale dhe shpesh në transferimin e vendimeve apo dosjeve nga njëra gjykatë në tjetrën. “Gjykata nuk njofton për pushimin e çështjeve, ndaj kjo ka bërë që shumë të dënuar me burg të mbeten në qeli jashtë afateve të dhëna nga gjykata”, - tha Rama. Kryeprokurorja gjatë fjalës së saj renditi një sërë problematikash që e shqetësojnë atë dhe vartësit e saj, ndërkohë që nuk i kurseu kritikat edhe ndaj shkallës më të lartë të gjyqësorit, përkatësisht Gjykatës së Lartë. “Një problematikë shqetësuese për Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokurorët në mënyrë të veçantë janë vendimet për shuarjen e masës së sigurimit për persona të arrestuar. Ne vihemi në dijeni me mjaft vonesë, ndërkohë që personi i arrestuar rri padrejtësisht në qelitë e paraburgimit. Minimalja që duhet të bëjë sekretaria e kësaj gjykatës para se ta dërgojë dosjen në Gjykatën e Apelit apo atë të Faktit është njoftimi i menjëhershëm i prokurorit për vendimin e shuarjes së masës së sigurimit”, - deklaroi Ina Rama, duke iu drejtuar Gjykatës së Lartë për më tepër bashkëpunim në të ardhmen.