E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja e trafikut të 150 kileve heroinë

 

Përfshirja në organizime të trafikut të heroinës nga Turqia në drejtim të Italisë, rrezikon t’u kushtojë nga 18 vjet heqje lirie Emiliano Shullazit dhe Ervin Ferhatit. Kjo ishte pretenca e Prokurorisë shpallur dje në Gjykatën për Krime të Rënda në Tiranë, ku prokurorja e çështjes lexoi dosjen dhe konkluzionet përfundimtare të hetimit. Akuza kërkoi deklarimin fajtorë të Shullazit e Ferhatit dhe dënimin e tyre me 18 vjet burg për akuzat e “organizimit, drejtimit e financimit të një organizate kriminale me qëllim trafikimin e heroinës” dhe “trafikimit të narkotikëve të kryer më shumë se një herë”. Më poshtë gazeta “Panorama” publikon ekstraktin e dosjes penale të hartuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë grup trafiku.
Episodi 1
Organizata kriminale përbëhej nga dy nëngrupe kriminale vepruese dhe bashkëpunues në fushën e trafikimit të heroinës. Grupi i parë përbëhej nga Landi Baci, Erges Ymeraj (Ilirian Vasili), Erion Gogaj, Selfo Driza (Fredi Plaku) dhe Ervis Qarri. Në krye të këtij grupi qëndronte Landi Baci (arrestuar në Itali) dhe i dënuari Erges Ymeraj, të cilët organizonin dhe drejtonin operacionet e trafikut të lëndës narkotike. Ervis Qarri merrej kryesisht me mbledhjen e parave që rezultonin nga shitja e lëndës narkotike në Itali, edhe pse është arrestuar me rastin e tërheqjes së lëndës narkotike në datë 02.12.2004. Të dënuarit Erion Gogaj dhe Selfo Driza (Fredi Plaku) merreshin me ekzekutimin e operacioneve, pra me tërheqjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të lëndës narkotike blerësve të ndryshëm në Itali. Ky grup furnizohej nga furnitori me emrin “Mehmet” i paidentifikuar më saktë. Grupi i dytë përbëhej nga Ervin Ferhati (Ergys Ferhati), Emiljano Shullazi (Anton Nikolli), Ardit Berati dhe Gëzim Veseli. Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi kishin rol organizues dhe drejtues lidhur me operacionet e trafikut të lëndës narkotike, kurse Ardit Berati dhe Gëzim Veseli (arrestuar në Itali), zbatonin urdhrat e drejtuesve, duke tërhequr lëndën narkotike, duke e shitur tek të tretët etj. Grupi i të pandehurve Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi e merrte lëndën narkotike të furnizuar nga furnitori “Mehmet”, nëpërmjet grupit të të dënuarit Erges Ymeraj e Landi Baci dhe po nëpërmjet këtij grupi i dërgonin paratë (për lëndën narkotike të furnizuar), furnitorit Mehmet. Dy grupet kanë bërë tratativa paralele me njëri-tjetrin. Ata kishin baza logjistike për ruajtjen dhe përzierjen e lëndës narkotike, e cila furnizohej nga Turqia nëpërmjet furnitorit të paidentifikuar mirë me emrin Mehmet. Lënda narkotike ruhej në një magazinë në Lambrate të Milanos dhe më pas përfundonin përzierjen e heroinës, nëpërmjet korrierëve Erion Gogaj, Selfo Driza, Ardit Berati dhe Gëzim Veseli realizonin shitjen e saj në tregun italian dhe dërgimin e të ardhurave në Shqipëri. Hedhja në treg e heroinës kërkonte domosdoshmërish përzierjen e saj me substanca të tjera, me qëllim rritjen e peshës dhe përfitimeve nga shitja. Pikërisht kjo lëndë furnizohej nga i dënuari Lutfi Shabani, nëpërmjet Gubetinit dhe korrierëve të tij.
Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me furnitorin e paidentifikuar mirë me emrin Mehmet, të dënuarit Erges Ymeraj, Erion Gogaj, Selfo Driza, kanë konsumuar episodet e mëposhtme të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale. Në periudhën kohore 16-18 gusht 2004, ata kanë trafikuar sasinë prej 10 kg heroinë. Ky episod është paraprirë dhe ka lidhje organike me episodin e datës 6-16 gusht 2004, ku bëhet fjalë për trafikimin e 16 kg heroinë të pasekuestruar, i cili është i provuar nga përgjimet e bisedave telefonike midis të pandehurve. Kjo sasi është furnizuar nga furnitori Mehmet nëpërmjet korrierit Zdravko Sagolj dhe është tërhequr personalisht nga i dënuari Erges Ymeraj. Gjatë një bisede të vënë në përgjim, Erges Ymeraj, nga Shqipëria, njofton referentin e tij në Milano, të dënuarin Erjon Gogaj, se mbërritja e një korrieri në Milano është punë ditësh. Të dy diskutojnë për mundësinë për të çuar në Shqipëri një shumë lekësh të kërkuar nga Erges Ymeraj, i cili gjithashtu porosit Erjon Gogen që të mos përdorë më persona të tjerë, numrin e telefonit të mbajtur për kontaktet me Erges Ymeraj. Në datën 14.08.2004, Landi Baci nga Shqipëria i telefonon Erges Ymerajt për t’i komunikuar që të nesërmen do t’i japë numrin e korrierit të parë që po arrin, duke e informuar se furnitori Mehmet ka organizuar dorëzimin e lëndës narkotike në disa pjesë për të evituar rrezikun, për këtë arsye korrierët do të mbërrinin çdo dy ditë ose çdo ditë. Po në datën 15.08.2004 mbërrin në Milano i pari nga korrierët e dërguar nga Mehmeti i identifikuar si Zdravko Sagolj. Mehmeti i saktëson të pandehurit Ervin Ferhati se bëhet fjalë vetëm për njërin nga tre – katër korrierët dhe gjithashtu i kërkon që të nesërmen të dërgojë Emiljano Shullazin për të takuar Erges Ymerajn, për t’i dorëzuar shumën 100.000 euro, të cilat do të shërbejnë për furnizimet e ardhshme. Lënda narkotike për episodin e datës 16-18 gusht të vitit 2004, është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë, të pandehurit në kuadër të organizatës me anën e korrierit Nevzdet Haziri, e kanë eksportuar në qytetin e Milanos, Itali. Kjo sasi e lëndës narkotike rezulton se ishte e destinuar për të pandehurit Ferhati dhe Shullazi, të cilëve do t’u dorëzohej me ndërmjetësinë e grupit të të dënuarit Erges Ymeraj dhe Landi Bacit, pranë të cilëve ata kishin dorëzuar dhe paratë në shumën 90.000 euro për lëndën narkotike që do të vinte në vijim. Po kështu furnitori Mehmet i saktëson Ervin Ferhatit se në ditët e ardhshme do të mbërrijnë korrierë pranë grupit të Ilirian Vasilit dhe Landi Bacit dhe atij vetë personalisht do t’i dorëzohej në total një sasi prej 30-40 kg lënde narkotike (e cilësuar si 30 mijë - 40 mijë euro). Nga vëzhgimi vërehet një “Volksvagen Golf” me targa kroate ZG2879K, i cili i nënshtrohet një kontrolli pranë daljes së tangjenciales milaneze në “Viale Zara”. Në sajë të kontrollit të imtësishëm të bërë në veturën në fjalë, bëhet i mundur sekuestrimi i 10 kg heroinë të gjetur brenda rrotës rezervë. Korrieri Nedvzet Haziri arrestohet në flagrancë. 
Episodi 2
Në periudhën 18-21 gusht 2004, i pandehuri Ervin Ferhati, në bashkëpunim me të dënuarit Erges Ymeraj, Erion Gogaj si dhe Landi Baci, me furnitorin turk me emrin “Mehmet” si dhe korrierin kroat Zdravko Sagolj, në kuadër të organizatës kriminale kanë trafikuar 11 kg heroinë. Kjo sasi lënde narkotike është eksportuar nga Turqia në Itali, e fshehur në automjetin “Honda Civic” me targa kroate Z G2667 K, dhe që drejtohej nga korrieri Zdravko Sagolj. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurin Ervin Ferhati, të cilit do t’i kalonte me ndërmjetësinë e Landi Bacit dhe Erges (Orges) Ymeraj (Ilirian Vasili). Furnitori Mehmet njofton të pandehurin Ervin Ferhati se korrieri që kishte dërguar me lëndë narkotike Nevzdet Haziri mund të jetë arrestuar e më pas e informon për mbërritjen të nesërmen të një korrieri tjetër, të destinuar për të, por lëndën narkotike do ta dorëzojë përsëri te grupi i Landi Bacit dhe Erges Ymeraj.
Rreth orës 12:00 të datës 21.08.2004 organizohet një kontroll ndaj veturës “Honda Civic” me targa ZG2767K, e cila ndodhej në “Via dei Canzi” në Milano, me drejtues Zdrako Sagolj dhe pasagjer Daniela Bacmaj. Nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg heroinë. Në këto rrethana Zdravko Sagolj dhe Daniela Bacmaj janë arrestuar në flagrancë.
Episodi 3
Në periudhën 28–29.08.2004 dhe 03.09.2004, Shullazi dhe Ferhati (Ergys Ferhati në bashkëpunim me të dënuarit Erges Ymeraj (Ilirian Vasili), Erion Gogaj, Selfo Driza (Fredi Plaku) si dhe me furnitorin turk me emrin “Mehmet”, kanë trafikuar në territorin e shtetit italian një sasi prej 10 kg heroinë.
Erion Gogaj dhe Selfo Driza në datën 28.08.2004 me porosi të të dënuarit Erges Ymeraj kanë tërhequr nga korrieri sasinë prej 15 kg heroinë. Pas marrjes në dorëzim të lëndës narkotike prej të pandehurve Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi, del në pah cilësia e keqe e lëndës narkotike e për pasojë i pandehuri Ervin Ferhati i ankohet furnitorit “Mehmet”, të cilët bien dakord që ta kthejnë mbrapsht atë. Menjëherë pas kthimit mbrapsht të lëndës narkotike, në biçikletën e të dënuarit Erion Gogaj sekuestrohet sasia prej 9.5 kg heroinë dhe 17.000 euro, kurse të dënuarit Erion Gogaj dhe Selfo Driza arrijnë të largohen. Një ditë më pas, në datë 30.08.2004, gjatë bisedës në orën 18:28, e përgjuar në numrin turk të Mehmetit, midis tij dhe të pandehurit Ferhati, ky i fundit i konfirmon edhe njëherë Mehmetit se një ditë më parë ka tërhequr 10 kg nga grupi i Erges Ymeraj dhe Landi Bacit dhe i shpreh pakënaqësinë për heroinën e marrë, pasi ishte e një cilësie jo të mirë. Më pas të dy bien dakord që nëse heroina nuk do të pëlqehej nga blerësit, atëherë do t’ia kthenin përsëri heroinën e marrë. I pandehuri Ervin Ferhati i thotë furnitorit Mehmet se do t’i dorëzojë 9 kg dhe 17.000 euro që i korrespondojnë vlerës së heroinës së shitur. Të dënuarit Erion Gogaj dhe Selfo Driza, duke qenë të perfeksionuar në takimin me Ervin Ferhatin, pasi kanë marrë në dorëzim lëndën narkotike të dorëzuar nga Ervin Ferhati, vërehen në “Via dei Canzi”, në afërsi të hyrjes të zonës industriale, i njohur si vendqëndrimi i të dënuarve Ymeraj, Gogaj dhe Driza. Në këtë moment, ndërkohë që Driza ishte duke hapur koshin e biçikletës, Goga merr në brendësi të koshit të mbrapsëm të biçikletës një qese plastike voluminoze. Në këto kushte ndërhyrja e Guardia di Financia sekuestron lëndën narkotike të dorëzuar përsëri nga të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi. Si rezultat sekuestrohen në biçikletën e të dënuarit Erion Gogaj 9.5 kg heroinë dhe 17.000 euro, ndërsa ky i fundit së bashku me të pandehurin Selfo Driza arrijnë të zhduken me vrap.
Episodi 4
Në periudhën 29.10.2004 dhe 01.11.2004, të pandehurit Shullazi dhe Ferhati (Ergys Ferhati në bashkëpunim me të dënuarin Ardit Berati, furnitorin turk me emrin Mehmet, dhe korrierin Branko Govedarovich (i arrestuar në Itali) kanë trafikuar në territorin e shtetit italian një sasi prej 11.2 kg heroinë. Emiljano Shullazi lëndën narkotike të furnizuar nga Turqia nga furnitori Mehmet, e ka trafikuar në Itali nëpërmjet korrierit Branko Govedarovich, për pritësit Ergys Ferhati dhe Ardit Berati. Gjatë bisedës së orës 18:13 të datës 25.10.2004, Shullazi dhe Ferhati bisedojnë për nevojën për të gjetur një korrier për të çuar në Itali lëndën narkotike që posedon Emiljano Shullazi. Më tej, Ervin Ferhati pyet të pandehurin Emiljano Shullazi nëse i ka dalë viza dhe ky i përgjigjet se nuk i tregojnë dhe po s’pati dalë viza s’ka për ta marrë pasaportën, por do të bëjë kërkesë tjetër. “Po pra, s’ta tregojnë ata se i thashë unë ka dalë apo s’ka dalë, po s’ta tregojnë ata. Po s’pati dalë unë aty s’e mor bëj kërkesën tjetër tak-tak, kupto? Kurse kështu po e tërhoqe duhet me bo një kërkesë me yyyya e kupton?”, ka pohuar Shullazi. Shullazi e informon Ferhatin se dita e saktë e nisjes së korrierit nuk është përcaktuar, por takimi me korrierin do të bëhet pranë një spitali të madh me emrin “Saco”, dhe për të evituar përdorimin e telefonave afër vendit të takimit, i dërguari i Ervin Ferhatit duhet të mbajë një stekë cigaresh në dorë që të njihet prej korrierit.      ar.ba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›