Pranga oficerit, për 20 mijë lekë ryshfet
Dashamir Biçaku
Arrestohet me akuzën për korrupsion oficeri i Zyrës së Hetimit të Vjedhjes së Automjeteve në policinë e Tiranës.
Qamil Brahja, 27 vjeç me gradën nënkomisar, është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Lajmi u konfirmua nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët thanë se oficeri i policisë është kapur në flagrancë në ambientet e zyrave të hetimit të krimeve të komisariatit nr.4 sapo kishte marrë shumën e ryshfetit nga një qytetar. Oficerët e SHKB-së pohuan dje se, kanë administruar në cilësinë e provave materiale, 4 kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe të reja, si dhe disa incizime, përgjime telefonike dhe ambientale që hedhin dritë mbi përfshirjen e oficerit të krimeve në mitmarrje. Sipas burimeve të policisë, oficeri akuzohet se i ka kërkuar para një personi rreth 20 vjeç, që ishte shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.4, nga efektivët e patrullave të përgjithshme. I riu me banim në Babrru udhëtonte me makinën e tij, që fillimisht ishte dyshuar se mund të ishte e vjedhur. Ai është dërguar në ambientet e policisë, ku edhe është pyetur paraprakisht, ndërkohë që për të verifikuar nëse mjeti ishte i vjedhur apo jo, është kërkuar edhe ndihma e Seksionit të Hetimit të Vjedhjeve të Automjeteve. Për të hetuar rastin, ka mbërritur oficeri Qamil Brahja, i cili ka nisur procedurat për verifikimin e makinës së bllokuar. Kërkimet e kryera kanë zbuluar se automjeti nuk ishte i vjedhur prej personit të shoqëruar nga patrullat e përgjithshme dhe se ai duhej lënë i lirë. Por sipas tyre hetuesi i krimeve, ka kërkuar të kryejë edhe disa verifikime të tjera duke mbajtur të riun në komisariat. Pikërisht gjatë kësaj, kohe hetuesi i Seksionit të Vjedhjeve të Automjeteve ka nisur tratativat, për të hyrë në pazar me të arrestuarin dhe familjen e tij. Gjatë bisedave të regjistruara janë dëgjuar bisedat e familjarëve të 20-vjeçarit me oficerin e këtij seksioni. Sipas burimeve, në këto biseda është dëgjuar edhe vetë i shoqëruari, ndërsa i kërkonte babait që të çonte lekët dhe të mos e linte në polici. Në fund, ata kanë rënë dakord që shuma të shkonte nga 50 mijë lekë të reja në 20 mijë pasi zotëruesi i makinës dhe babai i tij nuk kishin më shumë para se kaq. Gjatë kësaj kohe SHKB-ja ka rënë në kontakt me familjen e të shoqëruarit dhe me babain e tij, Abdulla Fejzaj. Pas kontaktit ata kanë pranuar të depozitojnë një kallëzim pranë SHKB-së për veprimet e oficerit, ndërsa janë bërë gati lekët katër kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe janë fotokopjuar dhe regjistruar numrat e serive. Pas këtij veprimi, paratë i janë dorëzuar oficerit Qamil Brahja, i cili i ka marrë ato nga babai i zotëruesit të makinës. Pasi është lënë i lirë i shoqëruari, hetuesit e SHKB-së kanë ndërhyrë duke ndaluar në flagrancë kolegun e tyre rreth orës 03:15. Në këtë çast, oficeri i policisë është munduar të hedhë paratë pranë një kasaforte aty pranë por gjithçka ka qenë e filmuar.