Xhixho: Vota jonë për interesat e qytetarëve, jo politike
Nënkryetarja e LSI-së, njëherësh edhe anëtare në Këshillin Bashkiak të Tiranës, reagoi dje ndaj qëndrimit të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Sipas Shalsit, vota kundër e LSI-së për buxhetin e 2009-ës ka vonuar instalimin e ngrohjes në shkollat e Tiranës. Në një komunikim me mediat, Xhixha tha se deklaratat e tij nuk janë të vërteta. Ajo vuri në dukje se në buxhetin e 2008-ës, në programin e investimeve të sistemit arsimor, ishte parashikuar rikonstruksioni i dy kopshteve dhe rikonstruksioni i 12 shkollave, ndërtimi i 5 shkollave të reja me prioritet përmirësimin e sistemit të ngrohjes dhe vendosja e sistemit të ngrohjes në 9 çerdhe. “Në fakt, sot e kësaj dite, akoma gjimnazistët e “Petro Ninit”, të “Qemal Stafës” apo nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Edit Durham” dhe të tjera shkollave në Tiranë, nuk kanë të instaluar sistemin e ngrohjes, duke bërë mësim në kushte të vështira dhe pa ngrohje në këto ditë të ftohta”, - tha Xhixho. Ndaj, sipas saj, Shalsi, para të thotë se LSI-ja ka bashkuar votat me Berishën, ka detyrimin ligjor të na tregojë se ku i ka çuar paratë e planifikuara për objekte konkrete dhe përse akoma shkollat janë pa ngrohje.
Meta: Integrimi në BE, Topi të mbledhë partitë politike
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përshëndeti dje ratifikimin e MSA-së nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa kërkoi nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, që të mbledhë partitë politike ku të diskutohen hapat që duhet të hedhë më tej Shqipëria drejt integrimit evropian. “Duhet një konsensus shumë i gjerë politik brenda vendit, që sipas mendimit tim, do të thotë një tryezë e thirrur nga Presidenti i Republikës me përfaqësuesit kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës për të diskutuar këtë fazë të re ku hyjnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në dhe procedurat që duhet të ndiqen më tej”, - tha Meta, duke shtuar: “Nuk duhet kthyer në një lojë politike, por duhet zgjeruar maksimalisht konsensusi politik për procedurat që do të ndiqen në të ardhmen. Mendoj se një konsensus tepër i gjerë do të ishte një faktor i rëndësishëm për t’u mirëpritur një aplikim i tillë nga Bashkimi Evropian”. Kreu i LSI-së vuri në dukje se ky moment tepër i rëndësishëm kërkon seriozitet dhe një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme nga institucionet e vendit, nga Parlamenti, por mbi të gjitha nga mazhoranca aktuale, e cila duhet të kuptojë se çdo shfrytëzim politik i këtij momenti nuk bën gjë tjetër veçse vë në pikëpyetje suksesin e këtij aplikimi.