PD: Rama të japë dorëheqjen
Partia Demokratike kritikoi dje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për sulmet që po u bën këshilltarëve që i rrëzuan projektbuxhetin e bashkisë 2009. Sipas PD-së, në vend që të japë dorëheqjen sepse hyri në histori jo të Shqipërisë, por të Evropës, si drejtuesi i vetëm i një bashkie kryeqyteti buxhet-rrëzuar, ndërmerr akuza, shpifje dhe trillime ndaj këshilltarëve që nuk i votuan buxhetin 2009. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, theksoi dje se "këshilltarët e Partisë Demokratike nuk e votuan dhe nuk do ta votojnë Koço-buxhetin e vitit 2009, pasi ai ishte hartuar i tëri për të mbushur xhepat e Koços dhe si-Koçove të tjerë dhe jo për të ngrohur shkollat e fëmijëve të Tiranës, jo për të ngritur shkolla të reja, jo për të ngritur qendra sociale apo nxitur përmirësimin e punës në këtë qytet". Sipas tij, këshilltarët e PD-së votuan kundër buxhetit të Kokëdhimës, sepse të gjithë paratë ishin dërguar vetëm në minibashkitë e Partisë Socialiste dhe ishin përjashtuar nga buxheti 80% e territorit të Tiranës sepse nuk qeveriset nga minibashki socialiste alla Rama. Bogdani bëri të ditur se "këshilltarët e PD-së hodhën poshtë dhe nuk do të votojnë buxhetin Rama-Kokëdhima, sepse ai përjashton nga investimet zonat më të varfra të kryeqytetit dhe parashikon rikonstruksionin e rrugëve të rindërtuara tre vjet më parë". Në deklaratë theksohet: "Këshilltarët nuk do të votojnë buxhetin Rama-Koço, sepse rreth 20% e tij i është përkushtuar vetëm fushatës elektorale të z. Rama në zgjedhjet e ardhshme. Këshilltarët e Partisë Demokratike nuk e votojnë buxhetin Rama-Koço, sepse në një akt të pashembullt në historinë e një buxheti, hartuesi i tij nuk guxoi të vinte dhe të mbronte buxhetin në Këshillin Bashkiak". Zëdhënësi demokrat tha se "Rama në vend të shqyrtonte buxhetin në Këshillin Bashkiak, zgjodhi t’u rikujtonte shqiptarëve një akt gjysmë-dajës së tij, Sofo Lazrit, i cili në një kohë kur vendi vuante nga uria, kthehej me çmimin ndërkombëtar të ushqimit".