PS: “Dosjet”, ankimim në Kushtetuese
Partia Socialiste rikonfirmoi dje qëndrimin e saj për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Një ditë pasi ligji hyri në fuqi, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, rikonfirmoi qëndrimin për të ankimuar në Kushtetuese.“Pa dyshim, që do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, - tha Braçe i pyetur nga gazetarët. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se është i shqetësuar për pasojat e këtij ligji, referuar këtu edhe dorëheqjes së prokurorit që kryesonte grupin hetimor për ngjarjen e Gërdecit. “Ne jemi të shqetësuar për pasojat që mund të ketë ligji i miratuar me nxitim dhe pa konsensusin e opozitës nga ana e Kryeministrit Berisha, një ligj i kontestuar nga institucionet ndërkombëtare. Duket dhe nga pasojat e para që jep hyrja në fuqi e këtij ligji, me sa duket një nga prapavijat e tij politike ka qenë pikërisht qëndrimi për të cenuar institucione të drejtësisë, e në radhë të parë prokurorinë lidhur me çështje të veçanta, të rëndësishme, që ajo po heton”, - tha Meta. Opozita bojkotoi seancën kur u votua ligji për dosjet, ndërsa Presidenti Topi, për herë të parë, nuk u shpreh pro ose kundër një projektligji, duke shfrytëzuar një tjetër të drejtë që i jep Kushtetuta, atë të heshtjes.
PS’91 krijon forumin “Socialistët e Rinj”
PS’91 themelon forumin “Socialistët e Rinj” në prag të 17-vjetorit të FRESSH-it.
Me iniciativë të një grupi të rinjsh, mbështetës të PS’91 u zhvillua dje një takim organizator për ngritjen e forumit rinor “Socialistët e Rinj”. Nismëtarët, kryesisht studentë dhe të sapodiplomuar, vendosën që në përputhje me statutin e PS’91 të ngrenë strukturën rinore të kësaj partie. I ftuar nga grupi nismëtar, në takim mori pjesë edhe kryetari i PS’91, Petro Koçi, i cili e përshëndeti dëshirën e të rinjve për t’u bërë pjesë e projektit për një politikë ndryshe nga Rama dhe Berisha. “Çifti "PD e vjetër e Berishës-PS e re e Ramës" është kundër pluralizmit, dhe sistemi i tyre konsensual i drejtësisë po përpiqet të rrezikojë të drejtat politike të qytetarëve. Rama, pasi vodhi PS-në, kujton se do fusë në burg mendimin dhe alternativën ndryshe nga ramizmi. PS’91 është parti legjitime dhe institucionale. Ajo është pjesë e sistemit politik dhe e Parlamentit aktual”, - tha Koçi në këtë takim. Sipas tij, forumi “Socialistët e Rinj”, i sapokrijuar, është dëshmia e politikës institucionale për të cilën ka nevojë Shqipëria evropiane. “Strukturat e partisë do t’ju mbështesin për ta shtrirë FSR-në në të gjithë vendin”, - tha ai. Grupi organizator zgjodhi në krye të FRS-së studenten e Fakultetit të Drejtësisë, Anjeza Topçiu.