E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani, Rama shfrytëzon ngërçin e buxhetit për t’u bërë deputet



Kryebashkiaku Edi Rama nuk do të marrë parasysh asnjë kërkesë të këshilltarëve të LSI-së për të përmirësuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Kështu, thellohet edhe më tej ngërçi që ka përfshirë Këshillin Bashkiak të bashkisë së kryeqytetit, i cili rrezikon të shkrihet. Të dyja palët po mundohen të arsyetojnë qëndrimet e tyre kundrejt këtij buxheti, duke i paraqitur ato si teknike. Çështja po merr karakter të theksuar politik e mosmarrëveshjet e hershme mes dy partive po pasqyrohen edhe në qeverisjen e kryeqytetit. Duke lënë mënjanë se çfarë humbet apo fiton e majta e përçarë apo e bashkuar, pikëpyetje të mëdha janë ngritur se çfarë humbet Rama dhe Meta në përplasjen e fundit. Me shkrirjen e Këshillit Bashkiak Meta rrezikon të humbasë kryesimin e këtij këshilli, ndërsa llogarittë e Ramës duket se janë largpamëse dhe mund të plotësojnë një dëshirë të kahershme të tij, atë të hyrjes në Parlament. Brenda Partisë Socialiste, në korridore e në tryeza të ndryshme, ku aktorë janë figura të ndryshme të saj, po diskutohet se si mund të përfitojë PS-ja nga mosmarrëveshjet që kanë përfshirë Bashkinë e Tiranës. Katër vite në opozitë kanë vënë në pah një problem të madh të grupit socialist në Parlament, atë të mungesës së liderit të tyre në atë sallë. Ndaj, kryesisht socialistët me përvojë, mendojnë se ka ardhur koha, në prag të zgjedhjeve parlamentare, që Edi Rama të shfrytëzojë ngërçin në Këshillin Bashkiak për të lënë kryesimin e bashkisë dhe të kandidojë për deputet. Fitore ose jo e partisë, socialistët mendojnë se Rama e ka të garantuar karrigen e deputetit në Parlamentin e 2009-ës. Brenda partisë janë shtuar zërat që mendojnë se Rama duhet të japë dorëheqjen me “sebepin” e Këshillit Bashkiak. Dorëheqja mund të justifikohet si parimore, që i përshtatet një lideri të vërtetë dhe e justifikueshme para qytetarëve të Tiranës. Mbetet për t’u parë se sa i gatshëm është Rama të përballet me një sfidë të tillë. Edhe pse në këtë mënyrë fiton partinë, në mënyrë të pakontestueshme ai lë përgjysmë atë që Rama e konsideron kontratë me qytetarët, ndërkohë që Tirana hyn në zgjedhje dhe PS-ja rrezikon të humbasë bashkinë më të madhe në vend.

Kryeministri Berisha ia sugjeroi dy ditë më parë dorëheqjen, ndërsa Meta la të kuptohej se do të vijojë të votojë kundër, nëse Rama nuk përfshin propozimet e grupit të LSI-së në buxhet. Në reagimin e parë pas rrëzimit të buxhetit, Rama e mbrojti këtë dokument, duke u shprehur: “Buxheti i vitit 2009 është buxheti më i detajuar, më i konsultuar me njerëzit dhe pa dyshim, më i miri buxhet që kemi detajuar për Tiranën’’.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›