Thirrja e fundit e OSBE-së: Mos miratoni ligjin!
TIRANË- Vetëm pak orë para se mazhoranca të çonte në “vend” vendimin që kishte marrë për të kaluar me çdo kusht dje draftin e dosjeve, OSBE-ODHIR-i bënë përpjekjen e fundit, e cila ishte një përmbledhje e të gjitha konkluzioneve të faktorit ndërkombëtar, që e kundërshtoi fort draftin e qeverisë për hapjen e “dosjeve”.Përmes një njoftimi për shtyp, prezenca e OSBE-së dhe ODHIR-i kërkoi konsultime më të gjera përpara votimit parlamentar të projektligjit mbi “Pastërtinë e Figurave”. Ishte Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Roberti Bosch dhe drejtori i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODHIR), Ambasadori Janez Lenarcic, që nxitën dje Kuvendin që të merrte parasysh shtyrjen e votimit të planifikuar të projektligjit mbi “Pastërtinë e Figurave”, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera. “Është e domosdoshme që çdo proces lustrimi të plotësojë standardet ndërkombëtare dhe të kryhet me një konsensus sa më të gjerë,”- u shpreh Bosch. Ndërsa ambasadori Janez Lenarcic, tha se, “ligji ka implikime serioze kushtetuese dhe politike, dhe shtyrja e votimit për të lejuar konsultime më të gjera do të ishte e mirëpritur”. Përmes një deklarate për shtyp, ambasadorët theksuan se Prezenca në Shqipëri dhe ODIHR-i ishin të gatshëm të mbështesnin autoritetet shqiptare, dhe nëse do t’u kërkohej, të jepnin asistencën dhe ekspertizën e tyre mbi këtë projektligj. Por, deklarata e tyre, ashtu si edhe ajo e SHBA-së apo e Londrës zyrtare, ka shkuar në vesh të shurdhër tashmë. Mazhoranca votoi me votat e saj draftin e shumëdiskutuar për dosjet.