Dosjet, Bosh: Duhen standarde për lustracionin
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, në një intervistë për Zërin e Amerikës, kërkoi që ligji i dosjeve të jetë sipas standardeve ndërkombëtare. Ai tha se një ligj i tillë duhet të bazohet tek shteti ligjor, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë tha më tej se ai nuk është kundër në parim ndaj një ligji të tillë, por kërkoi që vërejtjet të merren parasysh. “Do t'i bëja thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë seriozisht mbi komentet e bëra në deklaratën e Bashkimit Evropian. Unë e kam thënë edhe më parë se ndonëse nuk jam kundër në parim për një ligj për pastrimin e figurave, një ligj i tillë duhet të bazohet tek shteti ligjor, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe në respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare”, - tha ambasadori Bosh.