Statusi në BE, pozita dhe opozita bashkojnë votat
Komisioni parlamentar i Integrimit miratoi dje projektrezolutën e cila nxit qeverinë shqiptare të aplikojë për anëtarësimin në BE, por ndryshoi pjesën më të madhe të draftit të Komisionit të Jashtëm. Projektrezoluta do të kalojë sot në Kuvend e cila pritet të bashkojë votat e pozitës dhe opozitës përmes konsensusit të arritur në Komisionin e Integrimit. Ky komision bëri një ndryshim në projektrezolutë, të propozuar nga deputetët socialistë. Sipas ndryshimit të propozuar nga opozita, i kërkohet qeverisë që përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të hartojë dhe t'i paraqesë Kuvendit një program pune me afate konkrete. Ky plan pune, sipas PS-së, duhet të përmbajë rezultate të matshme për infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, forcimin e kapaciteteve administrative, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së, respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të drejtës së pronës si dhe lirisë së mediave. Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Integrimit pranuan kërkesat e opozitës. “Që nga firmosja e MSA-së qeveria shqiptare ka qenë në monitorim të vazhdueshëm dhe ne kemi punuar shumë për ta kompletuar procesin”, - tha deputeti i PD-së, Genc Juka. Edhe kryetari i komisionit, Ilir Meta, u shpreh i bindur se në Kuvend kjo projektrezolutë do të kalojë në konsensus nga të gjitha grupet parlamentare. “Kryetarja e Kuvendit, para seancës plenare që do të diskutojë p/rezolutën, të kërkojë edhe një herë konsensusin e të gjithë kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që të shkohet me një rezolutë të vetme dhe të plotë. Shpresojmë që kjo të ndihmojë në angazhimin e Parlamentit dhe qeverisë në këtë drejtim”, - deklaroi Meta.
PROJEKTREZOLUTË
Me vendosmërinë për të përmbushur aspiratën historike të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
Me bindjen se Komunitetet Evropiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës në paqe, harmonisë, stabilitetit të qëndrueshëm dhe mirëqenies;
Në mbështetje të përpjekjeve për krijimin e një shoqërie të begatë nëpërmjet konsolidimit të ekonomisë së tregut dhe forcimit të vlerave të shtetit të së drejtës, në dobi të qytetarëve shqiptarë;
I bindur se integrimi evropian do të kontribuojë qenësisht për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit, bashkëjetesës në harmoni dhe prosperitetit social-ekonomik të rajonit, duke e çliruar atë përfundimisht nga kujtesat e hidhura të së kaluarës;
Nisur nga fakti që, gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht, Shqipëria si vend evropian, qëndron në ndërthurjen e rrugëve, që lidhin Evropën dhe kulturën evropiane me hapësirën mesdhetare;
Bazuar,
Në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, lidhur me procedurat dhe kushtet e kandidimit e më pas të anëtarësimit;
Ripërsërit gatishmërinë për përmbushjen e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (Marrëveshja Interim);
Rithekson vendosmërinë për vazhdimësinë dhe thellimin e punës tashmë të nisur për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet dhe Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian, duke vënë në themel dhe në funksion të kësaj pune angazhimin e partive politike parlamentare për vazhdueshmëri të dialogut konstruktiv.
Deklaron përkushtimin e tij për konsolidimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi.
I kërkon qeverisë shqiptare që, përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të hartojë dhe t'i paraqesë Kuvendit një program pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme, në të cilin duhet të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me (I) infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 Qershor 2009; (II) forcimin e kapaciteteve administrative për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Associmit dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim; (III) intensifikimin e luftës kundër korrupsionit; (IV) krimit të organizuar dhe (V) pastrimit të parave; (VI) adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE; (VII) respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, (VIII) të drejtës së pronës dhe (IX) lirisë së mediave.
Inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e negociatave.