E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Kujdes DOsjet. Pollo: Sigurimsat do hapen

29/01/2009  BE ngre shqetësime në lidhje me ligjin për hapjen e dosjeve

Dosjet, BE-ja në linjë me SHBA-të dhe OSBE-në

Në Tiranë pritet të mbërrijnë zyrtarë të BE-së për të parashtruar qëndrimin zyrtar

Bashkimi Evropian shpreh shqetësim serioz në lidhje me ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”. Në një deklaratë publike tëdalë nga ambasada e Republikës së Çekisë, vend i cili mban presidencën e radhës së BE-së, theksohet se ky ligj ngre shqetësime në lidhje me disa aspekte, si mbi procedurën, ashtu dhe mbi përmbajtjen. Nisur nga kjo situatë, ambasada çeke bën me dije se “në këtë kontekst, Bashkimi Evropian do takohet me Qeverinë për të bërë të qartë pozicionin e Bashkimit Evropian”. Në deklaratë nënvizohet fakti se BE-ja i kushton një rëndësi të madhe dialogut politik mes partive politike, çka përbën një nga kriteret politike me rëndësi thelbësore për pranimin në BE. Po ashtu në deklaratë nënvizohet domosdoshmëria për një sistem drejtësie, që të funksionojë në bazë të ligjeve. “Ne i kushtojmë një rëndësi të madhe një gjyqësori mirëfunksionues dhe politikisht të pavarur”, - thuhet në deklaratën e leshur nga ambasada çeke. Ndërkohë zëvendëskryeministri Genc Pollo u takua po ditën e djeshme me trojkën europiane, të përbërë nga ambasadorja e Çekisë Marketa Fialkova, e ngarkuara me punë e Suedisë Elizabetë Stam dhe shefi i delegacionit të Komisionit Europian Helmut Lohan, për të diskutuar çështje të lidhura me ligjin e lustracionit. Pollo siguroi se qeveria do të garantojë një zbatim korrekt e të paanshëm të këtij ligji. “Çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tria shkallët e gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. Ky ligj ka një afat veprimi 5-vjeçar”, - ka thënë Pollo. Ai ka bërë me dije se pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës në autoritetin e kontrollit të figurës është e mirëpritur, çka është jo vetëm detyrë ligjore, por dhe përgjegjësi publike, që kontribuon në besueshmërinë e procesit.

Reagimet

Menjëherë pasi Parlamenti shqiptar votoi ligjin për hapjen e dosjeve, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian Terri Devis u shpreh tepër kritik. “Ligji për lustracionin duket se i është imponuar Parlamentit shqiptar me nxitim. Kjo nuk u ka lënë kohë të mjaftueshme mbështetësve të ligjit të shpjegojnë se pse një ligj i tillë është i nevojshëm pothuajse dy dekada pas rrëzimit të regjimit komunist. Vetëm faktori “kohë” krijon arsye për shqetësimin se ligji do të sjellë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë”, - deklaroi Devis. Kritik ndaj këtij ligji është shprehur edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e cila nënvizoi nevojën për konsultim me ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ligji të përmbushë standardet ndërkombëtare. Të njëjtin qëndrim kritik kanë mbajtur edhe përfaqësues të organizatave dhe përfaqësive të tjera diplomatike të atashuara në vendin tonë, OSBE-ODHIR, të cilat kërkuan që Parlamenti shqiptar të shtynte votimin e planifikuar të projektligjit mbi hapjen e dosjeve, në mënyrë që të lihet kohë e mjaftueshme për konsultime më të gjera.

OSBE

Qeveria të reflektojë për dosjet

Ambasadori i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian Robert Bosh është shprehur kritik ndaj ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve”. Ai ka kërkuar që qeveria ë reflektojë seriozisht pas deklaratës së BE-së. “Një ligj i tillë duhet të bazohet në shtetin ligjor, në respektim të pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese. Ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe në respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare”, - ka deklaruar ambasadori Bosh në një intervistë dhënë për “Zërin e Amerikës”. Ai ka shprehur gatishmërinë e misionit të OSBE-së në Tiranë për të ndihmuar autoritetet shqiptare në aspektet teknike për këtë çështje.

PS i drejtohet nesër Kushtetues për antikushtetutshmërinë e ligjit të dosjeve

Rama - Berishës: Stop antievropianizmit!

“Jo” ligjit që hap dosjet e komunizmit barbar për të mbyllur dosjet e kapitalizmit klanor

Partia Socialiste do t’i drejtohet nesër Gjykatës Kushtetuese për të provuar antikushtetutshmërinë e ligjit të dosjeve. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga vetë kreu i kësaj partie Edi Rama, i cili nuk kurseu kritikat ndaj këtij ligji nga njëra anë dhe forcës politike që e miratoi atë në anën tjetër. Kështu, duke reaguar në një konferencë të posaçme për shtyp mbi shqetësimin e ardhur nga BE-ja për ligjin e pastërtisë së figurës, Rama vuri në dukje se “Shqipëria nuk bëhet dot Europë dhe as nuk hyn dot në Bashkimin Europian, nëse politika e saj nuk flet gjuhën e këtij bashkimi dhe nuk respekton vlerat e parimet e këtij bashkimi”. Sipas tij, reagimi i BE-së është shansi i fundit që faktori ndërkombëtar i jep mazhorancës qeverisëse. “Miratimi i një ligji dosjesh me verbërinë e një shumice të thjeshtë, jashtë frymës europiane, jashtë kornizës së vlerave e parimeve të Bashkimit Europian, jashtë kufijve kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe me arrogancën provinciale që Sali Berisha tregoi pa kursim ndaj kritikave që erdhën nga të gjitha anët e tjera, brenda e jashtë vendit, ka bërë që sot 27 vendet e Bashkimit Europian të lëshojnë sinjalin më shqetësues të mundshëm”, - nënvizoi Rama lidhur me këtë çështje. Sipas tij, Kryeministri Berisha nuk mund ta zvarrisë edhe më shumë nga ç’e ka zvarritur rrugën drejt Bashkimit Europian, duke përdorur krimet e një regjimi të cilit për 25 vjet i shërbeu me devotshmëri për të mbuluar mëkatet e qeverisë që qysh prej 3 korrikut 2005 drejton me papërgjegjshmëri. Gjithashtu në gjykimin e kreut socialist, për t’u hequr një orë e më parë shqiptarëve e shqiptareve kufijtë ndarës me Bashkimin Europian dhe për ta futur sa më shpejt Shqipërinë në programet e mëdha të zhvillimit evropian, “nuk na duhet një ligj që hap dosjet e komunizmit barbar për të mbyllur dosjet e kapitalizmit klanor, duke na ndarë më shumë me Europën, po një ligj lustracioni që flet gjuhën e Europës dhe respekton vlerat e parimet e Bashkimit Europian”. Njëkohësisht, për t’i mëshuar më tej këtij qëndrimi, Rama solli dhe një sërë arsyesh të tjera, për të cilat ky ligj jo vetëm që nuk duhet të zbatohet, por të punohet për një ligj i cili të jetë brenda kornizave kushtetuese, i cili të garantojë një shtet të së drejtës. “Nuk na duhet një drejtësi nën presion dhe pa efektshmëri që mbyll sytë përpara malit të korrupsionit qeveritar apo që nuk pyet as Policia e Shtetit kur me urdhër të qeverisë duhet të dhunojë një gazetar, po një shtet i së drejtës, ku pushteti gjyqësor garanton barazinë e shtetasve përpara ligjit dhe ku ndarja kushtetuese e pushteteve, së bashku me liritë e të drejtat kushtetuese të njerëzve nuk mund as të diskutohet e jo më të cenohet nga maxhoranca qeverisëse e nga kryeministri i radhës”, u shpreh Rama. Madje, sipas tij, në këtë mënyrë përkthehet shqetësimi i shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së. Për këtë arsye, kreu socialist bëri me dije se “me këtë shqetësim ne do t’i drejtohemi menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, Gjykatës Kushtetuese, ku do të provojmë antikushtetutshmërinë flagrante të këtij ligji famëkeq”. Gjithashtu Rama i bëri thirrje qeverisë të mos pengojë vendin në marrjen e statusit si kandidat për në BE. Kjo pasi, sipas tij, deklarata në lidhje me ligjin e dosjeve është një sinjal shumë shqetësues, i cili do të paguhet me shtyrjen e statusit të Shqipërisë për integrimin në BE.

Ligji i dosjeve

Ky ligj ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik

të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse

dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si edhe në strukturat e ish-Sigurimit

të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i subjekteve dhe funksioneve të larta shtetërore, të cilat janë të papajtueshme me veprimtarinë publike të zyrtarit, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo ashkëpunëtor në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›