E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria të paraqesë një program pune në Kuvend para se të aplikojë”

29/01/2009  Komisioni i Integrimi miraton projektrezolutën: Deputetët e PS-së shtojnë katër pika

Qeveria shqiptare, para se të paraqesë në BE kërkesën për aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat, duhet të paraqesë në Kuvend një program pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme jo vetëm për detyrimet në kuadër të procesit të integrimit, por dhe për çështje të respektimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor, të drejtës së pronës dhe lirisë së medieve. Kjo është një pjesë e projektrezolutës së miratuar dje nga Komisioni parlamentar i Integrimit dhe që pritet të marrë edhe votat e Parlamentit shqiptar në seancën e sotme parlamentare. Me propozimin e deputetëve të Partisë Socialiste në Komisionin e Integrimit Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi, ky komision miratoi disa ndryshime. “Ne si përfaqësues të PS-së kemi bërë disa propozime dhe kërkojmë që komisioni t’i marrë parasysh ato. Duam që qeveria shqiptare, përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të hartojë dhe t’i paraqesë Kuvendit një program pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme, në të cilin duhet të pasqyrohen edhe çështjet që lidhen me adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së, respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të drejtës së pronës dhe lirisë së medieve”, - theksoi në mbledhjen e djeshme Ruçi. Ndër të tjera projektrezoluta inkurajon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që në kohën e përshtatshme, në konsultim me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Eurupian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e negociatave.

Ligjvënësit shqiptarë ripërsëritin gatishmërinë për përmbushjen e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë që burojnë nga MSA-ja; ritheksojnë vendosmërinë për vazhdimësinë dhe thellimin e punës tashmë të nisur për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet dhe Acquis Communautaire të Bashkimit Europian, duke vënë në themel dhe në funksion të kësaj pune angazhimin e partive politike parlamentare për vazhdueshmëri të dialogut konstruktiv. Kuvendi në një paragraf të veçantë deklaron edhe përkushtimin e tij për konsolidimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi. Gjithashtu ai shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj për integrim Europian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj rezolute. Rezoluta u paraqit në Kuvend para disa ditësh nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe pas marrjes së formës përfundimtare gjatë sitjes në dy komisione parlamentare do i kalojë për miratim seancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›