E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Bumçi: Të parët do të verifikohen njerëzit e Ramës



Pavarësisht ankimimit të PS-së në Gjykatën Kushtetuese të ligjit të dosjeve, mazhoranca qeverisëse do të vërë në zbatim ligjin e dosjeve. Sipas saj, ligji i lustracionit, tashmë në fuqi, është kushtetues dhe do të zbatohet. Madje një ndër hapat e parë të punës së Autoritetit të Verifikimit të Figurave pas ngritjes së tij do të jetë hapja e dosjeve të personave të lidhur me kryesocialistin Edi Rama. Sipas deputetit dhe zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së, z. Aldo Bumçi, janë njerëzit e tij ata që kanë kryer krime çnjerëzore me vendimet e tyre, duke marrë jetë njerëzish të pafajshme. “E drejta dhe morali nuk kanë për të asnjë vlerë përpara mbylljes së arkivit familjar të firmave që kanë vendosur i ati dhe daja i tij të cilët persekutuan me dhjetëra intelektualë dhe shqiptarë të pafajshëm që nga viti ’46 deri në vitin ’90”, - theksoi z. Aldo Bumçi. Partia Demokratike përmes tij akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po bën përpjekje për të penguar ligjin, pasi kërkon të shpëtojë familjen e tij. Sipas Bumçit, morali për Ramën nuk ka asnjë vlerë, pasi ai kërkon të mbyllë arkivin familjar. Deklarata e deputetit demokrat erdhi pak çaste pasi socialisti Fatmir Xhafa depozitoi në Gjykatën Kushtetuese ankimimin e ligjit të lustracionit. Kundrejt kësaj, z. Bumçi bëri të qartë se ligji që sapo hyri në fuqi, është krejtësisht kushtetues. “Për sa kohë ligji është në fuqi, gjithçka që ai ligj parashikon, do të zbatohet, me ngritjen e autoritetit dhe çdo hap tjetër që parashikon ligji. Dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese nuk pengon hapat që parashikon ligji”, - tha z. Bumçi.

Dosjet, mbërrijnë në Kushtetuese

Ligji i dosjeve mbërriti dje në Gjykatën Kushtetuese. PS-ja dorëzoi në Kushtetuese ankimimin për ligjin e dosjeve. Ankimimi u dorëzua paraditen e djeshme nga sekretari për çështjet ligjore në parti, Fatmir Xhafa, i cili deklaroi se janë 28 nene të këtij ligji që bien ndesh me Kushtetutën, duke shprehur njëkohësisht dëshirën që Kushtetuesja ta marrë në shqyrtim sa më parë. “Shpresojmë që gjykata ta marrë shumë shpejt në shqyrtim, së pari të vendosë pezullimin e këtij ligji me pasoja të mëdha ligjore, politike, sociale dhe njëkohësisht të vendosë për shqyrtimin në themel, ku mbetet në vendimmarrjen e gjykatës, shqyrtimi dhe vendimmarrja e saj”, - tha Xhafa. Nga ana tjetër, PS-ja dha shenja tërheqjeje për të mos marrë pjesë në komisionin që do të ngrihet për këtë çështje sipas asaj çfarë parashikon ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›