E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja prish “ëndrrën” e Edi Ramës për deputet



Demokratët prishin ëndrrën e Edi Ramës për t’u bërë deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Në një kohë kur z. Rama priste të shfrytëzonte krizën e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për t’ia faturuar këtë krizë PD-së, kjo e fundit duket se ditën e martë do të votojë draftin e buxhetit. Ferdinand Poni, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësues i PD-së, tha dje për “standard” se PD-ja është duke e menduar se cila do të jetë vota e saj kur të vijë momenti i votimit. “S’mund të përcaktoj një qëndrim në këto çaste. S’mund të them nëse do të votojmë pro ose kundër”. Të qenit në Parlament si deputet dhe kryetar i opozitës mbetet një mision i pamundur për kryebashkiakun Rama, ndaj rrëzimi i buxhetit në fillim të këtij muaji i dha mundësinë që ta shfrytëzonte për të dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë ai mund të jetë i lirë të kandidojë për deputet. Por planit, ku Rama shkel fort kontratën me qytetarët siç e quan ai, mund t’i japin fund një herë e përgjithmonë, ndaj Rama duhet të shtyjë edhe për disa vite dëshirën e tij për të qenë në foltoren e Parlamentit. Është grupi i këshilltarëve të PS-së në Bashkinë e Tiranës që ka kërkuar mbledhjen e këtij këshilli për të miratuar projektbuxhetin e 2009-ës. Sipas njoftimit të kryetarit të Këshillit të Bashkiak, Sokol Dervishaj, mbledhja do të zhvillohet pasditen e ditës së martë. Sa për LSI-në, burime brenda saj konfirmojnë se nuk do të votojnë as këtë të martë projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës, pasi në këtë nuk janë reflektuar kërkesat e saj. Disa ditë më parë, kryebashkiaku Edi Rama nuk e fshehu dëshirën për të kandiduar. Në një emision televiziv, i pyetur nëse do të kandidojë për deputet, ai tha se kjo do të bëhet në kohën e duhur, ndërsa në çdo komunikim tjetër të mëparshëm lidhur me këtë çështje, Rama është shprehur se ka një kontratë me qytetarët, të cilën duhet ta respektojë deri në fund. Nga ana tjetër, ka zëra brenda PS-së që kanë kërkuar shpesh që kryetari i PS-së duhet të jetë zë në Parlament, ndërkohë që kritikët e tij i kanë theksuar shpesh problemet e të bërit opozitë për shkak të mungesës së liderit të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›