Kartat, Nishani: Prefektët, monitorim procesit
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kërkoi dje nga prefektët që të monitorojnë strukturat vendore gjatë procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Në këtë mënyrë, brenda mesit të muajit shkurt duhet të bëhet i mundur afishimi i listave me emrat e rreth 730 mijë qytetarëve, të cilët nuk disponojnë një pasaportë. Sipas ministrit Nishani, për qeverinë shqiptare këta shtetas përbëjnë një grupim prioritar, lidhur me aplikimin e tyre për dokumentin e ri dhe për prefektët lind detyra për monitorimin e strukturave të qeverisjes vendore për të bërë të mundur afishimin e listave. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se “qeveria shqiptare mendoi që t’i jepet prioritet pajisjes me letërnjoftime atyre personave të cilët nuk kanë pasaporta për të udhëtuar jashtë shtetit”. Më tej, ai theksoi: “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile të gjithë listën e personave të cilët nuk janë pajisur me pasaportë”. Ndërkaq, vetëm një javë më parë qeveria shqiptare vendosi të shtynte afatin e aplikimit për të gjithë qytetarët që nuk janë të pajisur me pasaportë deri më datën 15 prill, mosrespektimi i së cilës do të shoqërohet me masa ndëshkimore. Ndërkaq vazhdon ende të jetë në pikëpyetje një datë e saktë se kur kartat e para të identitetit do të jenë në duart e qytetarëve, ndërsa po kalohet me rreth një javë afati ligjor që qeveria vendosi për shpërndarjen e tyre.