Dosjet, Kushtetuesja kundër letrës së Topallit
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur për herë të parë në unison letrës së kryeparlamentares Topalli. Pas një konsultimi që bënë nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese gjatë seancës së djeshme kur u hap dhe çështja e Lustracionit, hodhën poshtë kërkesën e përfaqësuesit të Kuvendit Lelçaj për konflikt interesi të anëtarëve të kësaj gjykate në shqyrtimin e kësaj kërkese. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, duke folur në emër të këtij institucioni, hodhi poshtë kërkesën e përsëritur të Kuvendit. Sipas tij, “kërkesa është abstrakte, pa një referim konkret se cili nga gjyqtarët është në konflikt interesi dhe nuk bazohet në nenin 37 të Kushtetutës, që përcakton rastet kur anëtari i Gjykatës duhet të largohet”. “Gjykata Kushtetuese, sipas nenit 124 të Kushtetutës, është një organ kushtetues që garanton Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese, sipas nenit 131, është i vetmi organ kushtetues në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën. Asnjë organ tjetër nuk mund të zëvendësojë kushtetuesen nën realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Të gjitha këto argumente bëjnë Gjykatën Kushtetuese që në këtë rast të konsiderojë të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit”, u shpreh Vladimir Kristo, kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje edhe letrës së kryetares së Kuvendit Topalli, e cila kërkonte prej saj mos marrjen në shqyrtim të kërkesës së 36 deputetëve të Kuvendit, pasi kjo gjykatë ka konflikt interesi me këtë çështje. Këto deklarata u bënë gjatë seancës së parë, e cila do të merrte në shqyrtim kërkesën e 36 deputetëve të Kuvendit, por dhe të shoqatës së prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për të rrëzuar ligjin e Lustracionit si antikushtetues. Por në mungesë të përfaqësuesve të deputetëve të Kuvendit, pas një letre që kryetarja e grupit parlamentar socialist i kishte dërguar gjykatës, seanca u shty për në 7 maj 2009. Në kërkesë e tyre, deputetët e Kuvendit i referohet neneve, që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësisë së prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Ndërsa Shoqata e Prokurorëve ka renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat kërkon shfuqizimin e ligjit të Dosjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Reporterët
Dy reporterët e Këshillit të Evropës që vizituan Tiranën, finlandezi Jaakko Laakso, dhe britaniku David Wilshire, kërkuan në raportin e tyre që ligji i Lustracionit të mos zbatohej pa ardhur përgjigjja nga Komisioni i Venecias. “Ne besojmë se procedurat e pastrimit duhet të ndjekin kritere të rrepta, në mënyrë që të sigurohet se të gjitha rastet do të trajtohen me ndershmëri dhe në pajtim me kërkesat e një shteti të bazuar në sundimin e ligjit”, shprehen ata në raportin e tyre.
Gjykata Administrative, PS me amendamente të reja
Amendamentet e reja të PS-së për projektligjin “Për Gjykatën Administrative” sjell tërheqjen e PD-së për arritjen e një konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës. Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, paraqiti amendamentet e PS-së, duke kërkuar realizimin e konsensusit për një nismë të tillë, kërkoi shqyrtimin e amendamenteve të socialistëve. “Nëse nuk jepni dakordësinë për amendamentet e paraqitura, mendoj se do të jetë i vështirë arritja e konsensusit për kalimin e këtij ligji”, deklaroi Xhafaj. Ndërsa ka nisur shqyrtimi nen për nen, përplasja e parë mes socialistëve dhe demokratëve ka qenë për nenin 4 të draftit, nëse duheshin Gjykata Administrative nëpër rrethe apo duhen seksione. PD-ja dhe ministri i Drejtësisë, Alibeaj janë për seksione, por socialistët ngulmojnë në krijimin e gjykatave nëpër rrethe pranë Gjykatave të Apelit. Nisur nga kjo përplasje, kryekomisioneri Ilir Rusmali ka shtyrë për sot shqyrtimin e amendamenteve të PS-së, duke i bërë thirrje socialistëve që të mos e bojkotojnë mbledhjen.