E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta, Kuvendi shkrin Komisionin e Shërbimit Civil

 

Kuvendi shkrin Komisionin e Shërbimit Civil. Institucioni që merret me shkarkimet e padrejta në administratën publike nuk pritet të funksionojë, pasi në vend pritet të krijohen Gjykatat Administrative. Në rezolutën e miratuar nga ana e Komisionit parlamentar të Ligjeve kërkon pushimin e KSHC-së. “Komisioni i Ligjeve rekomandon që me krijimin e Gjykatës Administrative, e cila ka si objekt bazë të veprimtarisë së saj gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, Komisioni i Shërbimit Civil të pushojë funksionimin e tij për shkak se objekti i veprimtarisë së tij tashmë përmbushet nga kjo gjykatë”, thuhet në rezolutën e miratuar. Pas dy raporteve të paraqitura nga KSHC-ja, anëtarët e Komisionit të Ligjeve janë të vendosur për të propozuar shkrirjen e këtij institucioni. Në pikën 2 të rezolutës theksohet se, “veprimtaria e këtij institucioni nuk ka përmbushur kërkesat e lëna nga Kuvendi në rezolutën e 26 qershorit. Në pikën 3 të rezolutës, Komisioni i Ligjeve cilëson se gjatë këtij viti, KSHC-ja nuk ka arritur të krijojë performancën sipas kërkesave të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, e cila ka sjellë mosfunksionim normal të institucionit për shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesave të nëpunësve civilë ndaj vendimeve të administratës publike qendrore dhe vendore në përputhje me parimet e shërbimit civil. “KSHC-ja ka shfaqur mungesë të plotë autoriteti dhe nuk përbën asnjë lloj garancie për zbatimin e ligjit. Nga KSHC-ja është e shkelur lidhur për mosrespektimin e afateve ligjore për regjistrimin dhe shqyrtimin e ankesave të bëra nga ana e nëpunësve”, thuhet në pika 4 dhe 5 të rezolutës. Deri në krijimin e Gjykatës Administrative, Kuvendi kërkon  rritjen e punës së eficencës së punës së KSHC-së dhe të çdo anëtari të tij. Mes anëtarëve të KSHC-së ka pasur konflikte, duke bërë që të mos paraqitet një raport i firmosur nga të gjithë anëtarët. Komisioni i Ligjeve rrëzoi raportin e parë, duke bërë që të paraqitet një raport i dytë me firmat e të gjithë anëtarëve. Por edhe pas paraqitjes së tij, Komisioni i Ligjeve rrëzoi punën e kryer nga ana e këtij institucioni.                                b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›