Topi: Unë në krye të PD? Ende herët, por jam i djathtë
Çlirim Peka
Presidenti Topi nuk përjashton mundësinë e rikthimit në PD në përfundim të mandatit pesëvjeçar. I pyetur gjatë një interviste për emisionin “FAKT” në NTV mbi mundësinë e ndryshimit të vendeve me Topallin në këtë forcë politike ai tha se: “Sot, e quaj jashtëzakonisht të parakohshme të realizosh një pyetje të tillë, sepse jeta politike në Shqipëri është dinamike. Unë jam i angazhuar dhe jam mësuar të mos mbaj shumë kunguj nën sqetull”, por shtoi se edhe nëse do të ketë një metamorfozë të forcave politike, ai mbetet sërish i djathtë.
Zoti President, në mos gabohem në intervistën e shtatë në fund të vitit dymijë e katër, që kemi zhvilluar së bashku si numri dy i opozitës së asaj kohe, jeni shprehur me kritika mjaft të ashpra për ish-kryeprokurorin, zotin Sollaku. Maxhoranca aktuale, pra maxhoranca, në të cilën ju keni bërë pjesë për vite me radhë, kjo forcë politike sërish akuzon Prokurorinë se po fle mbi dosje krimi. Kemi realisht në gjykimin tuaj një gjendje të tillë, apo sjellja e kësaj force politike nga dhe ju keni dalë është e njëjtë me të gjitha organet e akuzës?
Sot, pas asaj rruge të vështirë që ka pasur reforma në Prokurori, mund të them që ende sot e kësaj dite ajo reformë nuk konsiderohet e mbyllur. Përkundrazi, ka nevojë për reformim shumë profesional në Prokurori. Ajo që është fituar pas kaq muajsh dhe, këtë nuk e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me ardhjen time në këtë pozicion, por me influencën e shumë faktorëve, ajo që në përgjithësi nuk mund të diskutohet më, është varësia politike e organit të akuzës, apo e organit gjyqësor. Të gjithë kanë fituar një tjetër siguri, përsa i përket autonomisë. Asnjëherë autonomia nuk mund të jetë absolute, pa diskutim, sepse ka shumë lidhje edhe të karakterit njerëzor. Mos ta trajtojmë këtë çështje në një terren virtual. Por, po them që ka pasur një progres të dukshëm dhe ajo që nuk i mungon sot qoftë organit të akuzës, prokurorëve, apo gjykatësve, është pikërisht ajo që nuk mund të qahen, sepse nuk janë të pavarur. Por, ata janë të varur besoj dhe këtë nuk e them në përgjithësi, por ka simptoma të qarta në mjaft prokurorë, se janë të varur ndoshta nga lidhje interesi, janë të varur ndoshta nga mungesa e demonstrimit të një integriteti, që unë e kam kërkuar vazhdimisht, ndoshta janë të varur nga paaftësia profesionale për të gjykuar, sepse një pjesë e tyre natyrisht vijnë edhe nga mentalitete mjaft arkaike, janë pjesë e Prokurorisë, ndërkohë që ai organ duhej të kishte një rivitalizim jashtëzakonisht intensiv. Dhe unë besoj që është detyrë e organit të akuzës që të bëjë një reformë të dukshme për të pasur në atë institucion aq të rëndësishëm, aq të debatueshëm dhe aq të përfolur, për të pasur njerëz, që së pari kanë integritet, njerëz që janë të pandikueshëm. Dhe mos mendoni se profesionalizmi ka shanse të vendoset me njerëz që nuk kanë integritet. Ka një binom shumë kompatibël midis integritetit dhe predispozicionit për t’u bërë profesionist i mirë. Pra, ky është kombinimi i artë. Nuk duhet të jetë thjesht për Prokurorinë, por duhet të jetë kudo, duhet të jetë për gjykatat, në administratë, duhet të jesh së pari i formuar, duhet të jesh më tregues, i strukturuar moralisht dhe besoj, e tërë karriera profesionale ka shanse të zhvillohet në këtë terren.
Zoti President, keni qenë nënkryetar i Partisë Demokratike, sot partia në pushtet. Nuk është se janë të panjohura për publikun, edhe xhelozitë, edhe përplasjet, edhe fërkimet, pavarësisht se nga kanë ardhur. Duket qartë se nënkryetarja tjetër e PD-së, ish kolegia juaj, ish-homologia juaj, të paktën sipas mediave gjithmonë, jo sipas zonjës Topalli, nuk është se nuk ka filluar t’i pëlqejë Pallati i Brigadave. Për të qenë më konkret, Presidenti, zgjidhet me një shumicë të thjeshtë. Në rast se kjo maxhorancë fiton zgjedhjet, zonja Topalli nuk është se mund ta ketë të pamundur të udhëtojë drejt Pallatit të Brigadave. Si do të ishte gjykimi i ish-homologut të zonjës Topalli?
Dikur, keni qenë më lakonik në realizimin e pyetjeve. Nuk e di për ç’arsye, ju po bëheni tepër i pakuptueshëm në pyetjet që realizoni sot. Sot, unë që ju shikoni përballë, jam pikërisht në plotësim të atij verdikti që ka pasur parlamenti shqiptar në vitin 2007 dhe po plotësoj të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore. Për gjithçka tjetër që ndodh jashtë meje dhe nëpër ato ambiente, që unë nuk i frekuentoj dhe që ju merrni informacione, ndoshta ju mund të më jepni ndonjë informacion, sepse unë nuk kam çfarë të them.
Në rast se këto ambiente kërkojnë që pas 2012-ës, të frekuentohen nga ju zoti Topi, çfarë do të bënit për të qenë më konkret, duke qenë se na bëtë këtë vërejtje? Duket qartë ose të paktën pretendohet se shefi i PD-së apo lideri i PD-së, zoti Berisha, gjithmonë figurat e forta, në një formë a në një tjetër, ka tentuar t’i largojë nga PD-ja, dhe mendohet se...
Po ju ndihmoj shumë për ta shkurtuar kohën e pyetjes...
Ju kërkoj ndjesë! Ambicia e zonjës Topalli, që për të qenë të saktë, nuk është se është e padukshme, madje ajo është shprehur publikisht. Në rast se këto ambiente nuk do t’i frekuentoni më, pra e djathta, pas 2012-ës, ju kërkon, çfarë do të bëni ju zoti President?
Të më kërkojë mua, e djathta?
Ju kërkon ta frekuentoni. Po përdor termin tuaj.
Jua thashë edhe pak më parë. Kam qenë shumë i kujdesshëm dhe do të vazhdoj të jem shumë i kujdesshëm në realizimin kushtetues dhe ligjor të këtij institucioni. Por në ‘background’-in tim, nuk mund të fshihet kurrë ajo që unë kam qenë dhe kam demonstruar, se i kam takuar një force të djathtë dhe sikur të ketë metamorfozë të forcave politike, sot, në terrenin politik shqiptar, unë jam i projektuar i tillë, sepse së pari, nuk kanë qenë partitë politike që kanë bërë edukimin tim politik, por ka qenë një edukim brenda familjes, ka pasur të bëjë me historinë e familjes, të rrethit shoqëror, të një rrethi të gjerë qytetar dhe besoj që janë gjëra që janë fiksuar. Bukuria dhe korrektësia e kësaj pune është që kur vjen në një pozicion, kur ti, jo vetëm sipas Kushtetutës, por edhe sipas të gjitha deklarimeve që bën, i takon të gjithëve, natyrshëm që i takon të gjithëve, natyrisht duke respektuar shtetin ligjor, parametrat e shtetit ligjor dhe besoj që kam një përpjekje të përditshme në çdo orë, që unë të realizoj atë që kam premtuar dhe të mos i shkëputem Kushtetutës në asnjë, qoftë edhe prej anekseve të saj.
E ritheksoj, jeni i pari President i Shqipërisë që nuk keni qenë komunist. Dy Nënkryetarët e partisë më të madhe, të maxhorancës, të Partisë Demokratike, me CV politike tërësisht të djathtë, me një Kryetar partie ish-komunist, por gjithsesi, po e ribëj pyetjen: në rast se zonja Topalli ka dëshirë të udhëtojë drejt Pallatit të Brigadave, dhe ju, me marrëveshje do të udhëtonit drejt drejtimit të partisë më të madhe të djathtë në vend, a do të ishit i gatshëm?
Sot, e quaj jashtëzakonisht të parakohshme të realizosh një pyetje të tillë, sepse jeta politike në Shqipëri është dinamike. Unë jam i angazhuar dhe jam mësuar të mos mbaj shumë kunguj nën sqetull. E tërë jeta ime ka qenë e fokusuar në një mënyrë të tillë. Kur kam pasur një ofertë të drejtpërdrejtë për t’u angazhuar në jetën politike, menjëherë, që në vitin 1991, ku padyshim unë kam qenë pjesëtar, kam pasur një përgjigje shumë të thjeshtë dhe kjo mund të demonstrohet, që pa ezauruar jetën time profesionale në tërë karrierën e saj dhe kështu ndodhi, unë nuk do të merrem me politikë. E vërteta është që pas fitimit të doktoratës, unë kisha një aspiratë për të marrë titullin ‘Profesor’, për t’u angazhuar në strukturat e kërkimit shkencor, gjë që u realizua në vitin ’95 dhe unë jam marrë me politikë në vitin ’96. Pra, jam munduar që gjërat t’i realizoj saktë, duke u fokusuar, duke krijuar një dominant në punën time. Nuk mund të merresh në të njëjtën kohë me shumë gjëra, atëherë do të dalim pastaj tek ajo që unë thashë për të tjerët, që duhet të jesh patjetër me një formim integër dhe mbi atë bazë të zhvillosh profesionin tënd. Nga kjo pikëpamje, unë mendoj që të jesh sot President i Republikës, ke shumë sfida institucionale për të përballuar, dhe ato janë të mjaftueshme për të mos u marrë me gjëra të tjera.
Topi dekreton gruan e Fanës në Gjykatën e Lartë
Presidenti Bamir Topi dekreton bashkëshorten e Neshat Fanës, Mirela Fana në postin e anëtares së Gjykatës së Lartë. Neshat Fana i cili është aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka qenë avokat i Kryeministrit Berisha në të gjitha çështjet gjyqësore nga viti 1997. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 1, të Kushtetutës, dekretoj: Zonja Mirela Fana, emërohet anëtare e Gjykatës së Lartë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin e publikuar dje në faqen zyrtare të Presidencës. Mirela Fana pasi të votohet në Kuvend do të zërë në Gjykatën e Lartë vendin e lënë bosh pas moszgjedhjes së Zamir Podës. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë një kërkesë të një grupi deputetësh socialistë për të rrëzuar vendimin e Kuvendit për Zamir Podën. Poda ishte në grupin e pesë kandidaturave, që kreu i shtetit çoi në Kuvend dhe që u rrëzuan në bllok nga maxhoranca. Pas votimit në Kuvend, ai mori 65 vota pro, 62 vota kundër, 1 abstenim dhe dy vota të pavlefshme në një sallë ku ishin të pranishëm 130 deputetë.