Dosjet, Kushtetuesja zbardh 114 argumente kundër ligjit të qeverisë

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur më në fund vendimin e saj për rrëzimin e ligjit të dosjeve, e miratuar nga mazhoranca një vit më parë dhe i rrëzuar para disa muajsh nga institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Në vendimin e zbardhur prej më shumë se 41 faqesh, gjykata jep argumentimet ligjore pse vendosi shfuqizimin e ligjit me nr.10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Vendimi për rrëzimin e ligjit të shumëdebatuar për pastërtinë e figurave është marrë pak muaj më parë me unanimitet votash të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i zbardhur është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Në argumentimin me numër 55 çmohet se neni 24/5 i ligjit për pastërtinë e figurave që parashikon ndërprerjen e mandatit të Presidentit të vendit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të qeverisë në rast të lëshimit të “dëshmisë së verifikimit B” cenon garancitë kushtetuese të mandatit të tyre dhe për rrjedhojë bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ato të shtetit të së drejtës. Gjykata Kushtetuese çmon gjithashtu se ligji për pastërtinë e figurave bie ndesh me ligje të tjera në rastet e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas interpretimit të Kushtetueses, “një pjesë të natyrshme të rregullimeve kushtetuese zënë normat e lidhura me mandatin e organeve më të rëndësishme të shtetit. Këto norma, në mënyrë të veçantë, krijojnë garancitë e nevojshme për ushtrimin e mandatit sipas konceptit kushtetues. Këto garanci konsistojnë nga njëra anë në arsye specifike, shteruese për përfundimin e mandatit të tyre dhe nga ana tjetër, në procedura të veçanta për përfundimin e mandatit/eve. Këto procedura janë elementë përbërës të statusit kushtetues të organeve dhe institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta, që do të thotë se zëvendësimi i këtyre procedurave specifike me të tjera, më pak mbrojtëse, dobëson statusin e tyre. Bazuar në sa më sipër, gjykata i vlerëson rregullimet e ligjit për pastërtinë e figurës në raport me garancitë që gëzojnë organet shtetërore sipas Kushtetutës.
44. Kushtetuta parashikon se Presidenti i Republikës, i cili nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij, mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me propozim të jo më pak se një të katërtës së tyre. Vendimi shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila deklaron shkarkimin e Presidentit kur verifikohet faji i tij (neni 90 i Kushtetutës)”.
#