E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Dosjet'. PDS kërkesë Topit

Tiranë - Partia Demokracia Sociale i ka kërkuar sot presidentit Bamir Topi të mos dekretojë ligjin për hapjen e dosjeve të ish-diktaturës komuniste të para viteve ’90 të shekullit të shkuar. Me anë të një deklarate, sekretari Politik i PSD-së, Artur Duckallari theksoi në një konferencë sot në Tiranë, se ligji për kontrollin dhe pastërtinë e figurës së zyrtarëve ka përplasje themelore me Kushtetutën, duke cenuar në mënyrë të hapur lirinë e të drejtat e njeriut dhe duke krijuar mundësinë e nisjes së një “gjuetie shtrigash” ndaj kundërshtarëve politikë apo institucioneve të pavarura nga qeveria.

“Nisur nga ky fakt Partia Demokracia Sociale i bën sërish thirrje Qeverisë të reflektojë edhe me qëndrimet partnerëve tanë euro-atlantik si dhe të Pranisë së OSBE-së në Tiranë dhe Këshillit të Evropës, lidhur me ligjin e dosjeve. Nga ana tjetër, ne shprehim shqetësimin e thellë për presionin që po tentohet të ushtrohet ndaj Kreut të Shtetit prej Kryeministrit Berisha dhe deputetëve të bindur të tij”-deklaroi Duckallari.

PDS-ja mendon se presidentit Topi po i bëhet presion nga ana e mazhorancës për të miratuar një ligj të tillë. Për këtë arsye, sipas kësaj force politike deputetët e djathtë braktisën delegacionin presidencial në Kosovë

“PDS mendon se Shqipëria ka mundësi të prodhojë një ligj të mirë për lustracionin, duke shfrytëzuar ekspertizën më të kualifikuar ligjore dhe mbledhur eksperiencat e vendeve të tjera, pa bërë deformime që synojnë goditjen e institucioneve apo njerëzve të caktuar”-vijon më tej deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›