E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, PS-ja, bojkot verifikimit të figurave



PS-ja refuzon të marrë pjesë në Autoritetin e Verifikimit të Figurës i parashikuar nga ligji për dosjet. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, tha dje se kjo parti nuk mund të bëhet partnere në këtë ligj. “Jam e çuditur dhe e keqardhur sepse kjo ftesë vjen një ditë pas deklaratës së BE-së, pra të 27 vendeve, pas deklaratave që kanë paraprirë këtë deklaratë, pra deklaratave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Këshillit të Evropës, të OSBE-së, duke na ftuar që të bëhemi ortakë në një shkeljeje kushtetuese, duke na ftuar për t'u bërë ortakë për t'iu kundërvënë të gjithë partnerëve tanë euroatlantikë në vend që sot të reflektonin ndaj kritikave”, - tha znj. Leskaj.

Beqja: Shteti humbi 19 milionë euro nga INSIG-u

Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tha dje se nga ky privatizim i INSIG-ut mund të shtoheshin edhe 19 milionë euro të tjera në buxhetin e shtetit. “Kompania duhet të shitej të paktën 72 milionë euro. Për këtë arsye ne denoncojmë faktin se qeveria e Berishës u ka borxh shqiptarëve të paktën 19 milionë euro apo 2,3 miliardë lekë”, - ka theksuar Beqja. Duke i cilësuar si para që mungojnë në buxhetin e shtetit, Partia Socialiste theksoi se këto para do të nevojiteshin për të ndërtuar dhe pajisur me ambulanca 250 fshatra të vendit. Ndër të tjera, Beqja ka kritikuar Ministrinë e Financave për mangësinë e informacionit të dhënë në lidhje me këtë privatizim.

Milo: Deklarata e BE-së nuk lë vend për interpretime

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha dje se deklarata e BE-së për ligjin e dosjeve është e qartë dhe nuk lë vend për interpretim. “Kjo deklaratë ishte e drejtpërdrejtë, nuk linte shteg për interpretime dhe ekuivokë. Ajo ishte në vazhdim të qëndrimeve që kanë mbajtur për këtë çështje SHBA-ja, Këshilli i Evropës, OSBE-ja të cilat e kanë kritikuar ligjin dhe i kanë kërkuar qeverisë të reflektojë”, - tha ai. Njëkohësisht, Milo komentoi edhe zërat në PD që diskutuan dje në Kuvend për këtë ligj, duke i cilësuar ata si klounë politikë e pa pikë dinjiteti, sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›