Oketa: Dy muajt që na ndajnë nga hyrja në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka bindjen se dy muajt që Shqipërinë e ndajnë nga anëtarësimi i plotë në NATO, do të jenë intensivë në eliminimin e municioneve të vjetra luftarake. Z. Oketa takoi dje admiralin Mark Fixherald, ku kanë diskutuar për reformat e bëra nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ministri Oketa është shprehur se edhe dy muaj na ndajnë nga anëtarësimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë në NATO, me të drejta të plota, në samitin e ardhshëm. Sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha misionet e saj paqeruajtëse. Admirali Mark Fixherald vlerësoi pozitivisht reformat që ka bërë ushtria shqiptare, duke shprehur kënaqësinë që ka dhënë NATO-ja në realizimin e këtyre reformave. Admirali Fixherald ka falënderuar edhe kontributet që ka dhënë Shqipëria në misionet paqeruajtëse, si në Irak, Bosnje, Afganistan. Ai është shprehur se hyrja e Shqipërisë në NATO është vetëm fillimi i punës. Admirali Fixherald është shprehur se NATO-ja është e shqetësuar për praninë e municioneve të tepërta që janë në Shqipëri. Ai bëri të qartë: "Jemi të interesuar që t’i japim një zgjidhje këtij problemi, - tha Fixherald, - për këtë do të sjellim ndihmat e mundshme për të ndihmuar në procesin e demontimit të tyre”.
Topi dekreton ligjet për harmoninë fetare
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje tri ligjet e qeverisë që kanë të bëjnë me harmoninë fetare në Shqipëri. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i shtetit dekretoi disa ligje të miratuara pak ditë më parë në Kuvend. Mes tyre janë dhe tri ligje mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësive të tri komuniteteve fetare në vend. Përkatësisht, Komunitetit Mysliman Shqiptar, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Po dje, kreu i shtetit hodhi firmën dhe mbi “Ratifikimin e “Marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për marrjen pjesë në financimin e projektit të furnizimit me ujë dhe të shërbimeve sanitare në Orikum”.